Vuçiq kundër Nikoliqit: BE-ja nuk ka kërkuar që ta njohim Kosovën

11.12.2014 14:38

Kryeministri serb, Aleksandar Vuçiq, tashmë ka filluar t’iu tregojë serbëve që vetëm atij duhet besuar edhe nëse në pyetje janë deklaratat e personave të tjerë...

Pas deklarimeve të komisionarit evropian për zgjerim për kushtëzimin e anëtarësimit të Serbisë në BE me Kosovën, deklarime krejt të ndryshme kanë bërë presidenti serb, Tomislav Nikoliq, me deklarimet e kryeministrit serb, Aleksander Vuçiq, transmeton “Indeksonline”.

Nikoliq, kishte thënë se ajo deklaratë nënkupton që Serbia nuk mund të hyjë në Bashkimin Evropian pa e njohur Kosovën, ndërsa Vuçiq nuk ishte pajtuar, duke thënë se Serbia edhe do të ecë drejt BE-së, por edhe do të luftojë për “ruajtjen” e Kosovës.

“Secili prej nesh ka biseduar me Hahnin ndaras. E kuptoj atë që ka mundur ta kuptojë Nikoliqi, mirëpo unë atë deklaratën e shoh nga një prizëm tjetër edhe pse unë nuk hezitoj që t’ia them popullit të vërtetën. A ka dëshirë dikush që Serbia ta njohë Kosovën, është çështje tjetër dhe është diçka tjetër nëse dikush e kërkon prej nesh këtë. Unë atë deklaratë nuk e kam kuptuar si qëndrim zyrtar”, ka thënë Vuçiq.