Maqedoni
Zgjedhjet lokale 2021, BDI mbajti tubim në Gostivar
28.09.2021 14:37
Bashkimi Demokratik për Integrim, kampanjën parazgjedhore e filloi në Gostivar....

Bashkimi Demokratik për Integrim, kampanjën parazgjedhore e filloi në Gostivar. Në këtë tubim u prezantuan kandidatët për kryetar komunash dhe kandidatët për këshilltarë komunalë. "Me këtë ekip të përforcuar me ekspertë nga fushat e tyre, për të cilët do të votojmë më 17 tetor, ne po hapim një faqe të re dhe me të fillon dekada e tretë e fitoreve", tha kreu i BDI-së, Ali Ahmeti.
“Me kuadro që ka BDI në të gjitha frontet në të gjitha përballjet do të dal me sukses, me sukses do të dalim edhe në këto zgjedhje lokale sepse me zemër punojmë që vendin tonë ta zbukurojmë. Me përkushtim punojmë që vendin edhe ma mirë se dje ta bëjmë e ta ndryshojmë.”,- tha kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti.
Ai para qytetarëve premtoi se partia e e tij edhe më tej do të angazhohet për t’u siguruar qytetarëve jetë më cilësore. Jemi të vetëdijshëm se kemi edhe shumë punë për të bërë dhe do t’i çoj përpara të gjitha proceset që e pengojnë anëtarësimin e vendit në BE, ka thënë Ahmeti.
“Reformat në vend assesi nuk duhet të ndalen, njëjtë edhe reformat në gjyqësor, si dhe vetingun që e kemi ngritur dhe në vazhdimësi po punojmë që ai të jetë i suksesshëm. Në luftë të përhershme kundër krimit dhe korrupsionit, por ama ne nuk harrojmë marrdhëniet me fqinjët.”,-tha Kryetari i BDI-së Ali Ahmeti.
Lideri i BDi-së Ahmeti, i siguron të gjithë qytetarët dhe votuesit e BDI-së, por edhe ata që asnjëherë nuk kanë votuar për programin dhe platformën e BDI-së se oferta e tyre është më e përpunuara dhe më e studiuara e cila meriton që qytetarët me 17 tetor të japin mbështetjen e tyre duke votuar për nr 3. Nga BDI thonë se në Gostivar është paraparë ndërtimi i tre parkingjeve shumëkatëshe dhe ndërtimi i një ure të re e cila do të mundësojë lidhjen me autostradën rajonale. Sipas tyre me këto projekte do të zgjidhet problemi i parkimit dhe do të vendoset rend në komunikacion.
Sipas programit që BDI e prezantoi para banorëve të Komunës së Gostivarit është paraparë edhe vendosja e një sistemi ekologjik për ngrohje si dhe gazifikim për çdo vend, furnizimi me ujë të pijshëm dhe sisteme të modernizuara të kanalizimit për të gjithë qytetarët. Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti, i shoqëruar nga ministra dhe funksionarë të tjerë partiak sot edhe vizituan Malin Sharr, i cili vetëm pak kohë më parë u shpall Park Kombëtar.
SANIJE DURAKU
