Botë

Von Der Lejen nga Tirana: Shqipëria së shpejti do të jetë pjesë e BE-së

28.09.2021 15:12

Konferenca e parë ndërqeveritare mes Bashkimit Evropian dhe Shqipërisë pritet të mbahet brenda këtij viti....

Konferenca e parë ndërqeveritare mes Bashkimit Evropian dhe Shqipërisë pritet të mbahet brenda këtij viti. Lajmin e bëri me dije vetë presidentja e KE-së, gjatë konferencës së përbashkët me kryeministrin, Edi Rama, në nisje të turit të Ballkanit. Ursula Von der Leyen e vlerësoi Shqipërinë për reformat, duke deklaruar se Bashkimi Europain duhet të mbajë fjalën, ndërsa kreu i qeverisë solli në vëmendje premtimin e vazhdueshëm për çeljen e negociatave dhe bllokimin nga Bullgaria.
 
"Plani i investimeve ekonomike do krijojë vende pune, do sjellë rritje ekonomike në rajon, por thelbësore që partnerët të ecin për tregun e përbashkët rajonal. Ne do të qëndrojmë krah jush. Sa më i shpejtë procesi aq më i shpejtë edhe procesi i anëtarësimit në BE dhe nuk ka pikë dyshimi. Unë jam e vendosur që kjo gjë të bëhet realitet dhe ne të kemi konferencën e parë ndërqeveritare. Po punojmë për këtë gjë dhe dua që në të fillojmë para fundit të vitit.", tha Presidentja e Komisionit Europian, Ursula Von der Leyen.
 
"Presidentja e përsëriti që para përfundimit të vitit të kryhet konferenca e parë ndërqeveritare që Shqipëria të ulet në tryezë me BE dhe të nisë negociatat për anëtarësim. Sa më takon mua, e kam thënë dhe më parë dhe e përsëris, nuk vë më bast për asnjë datë, për asnjë afat dhe pres me qetësinë e plotë si rastin kur ndodh dhe nuk ndodh. Jemi përgatitur disa herë për dasëm dhe krushqit nuk janë paraqitur. Tani nuk përgatitemi për dasëm, i bëjmë deklaratat e dashurisë pore se kur ndodh dasma, e kanë në dorë krushqit.", tha kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama.
 
Edhe sa i përket nismës “Open Balkan”, Von der Leyen shprehu mbështetje të plotë, për sa kohë nuk del nga kornizat e procesit të Berlinit. Ndërsa Rama, sqaroi se kjo nismë, lindi si nevojë për përshpejtim të zhvillimit të Ballkanit.
 
"Mendoj që po të shohim ecurinë ekonomike dhe thellimin e marrëdhënieve ekonomike, si edhe tregun e përbashkët rajonal, mendoj se procesi i Berlinit po e shtyn procesin e integrimit para, si kuadër në të cilin 6 vendet e rajonit do të përfitojnë. Çdo iniciativë që është brenda procesit të Berlinit dhe që sjell bashkëpunimin, mirëpritet prej nesh. Ne nuk duhet të shohim me imtësi fjalët, por kontekstin që propozohet. Të jetë një proces i hapur dhe gjithëpërfshirës, që thellon edhe marrëdhëniet mes vendeve që të ketë një integrim të thellë të ekonomive.", tha Ursula Von der Leyen.
 
Vizita e Presidentes së KE-së në Shqipëri vjen pas vizitës së kancelares gjermane, Angela Merkel, e cila nënvizoi se Ballkani Perëndimor ka shumë miq në Europë, duke kërkuar nga BE të mbajë fjalën për integrimin e Rajonit.
 
LULJETA NDOKA