Maqedoni
Zgjedhjet lokale, kuvendi redukton punimet. Xhaferi: Është rregull e pashkruar
28.09.2021 15:39
Kuvendi redukton punimet në maksimum për shkak të fushatës zgjedhore për zgjedhjet lokale të 17 tetorit...

Kuvendi redukton punimet në maksimum për shkak të fushatës zgjedhore për zgjedhjet lokale të 17 tetorit. Edhe pse pezullimi i punimeve në periudhë fushate nuk është i sanksionuar me ndonjë normë juridike, ky veprim është shndërruar në praktikë për të evituar keqpërdorimin e foltores së Kuvendit për propagandë elektorale. Gjithsesi, ligjërisht Kuvendi është në punime të vazhdueshme.
“Rregull e pashkruar është bërë që parlamenti të mos punojë në kohë në fushate. Por kjo nuk do të thotë se nëse ka nevojë urgjente për punë Parlamenti të mos mund të mblidhet. Formalisht Parlamenti mund të mblidhet në çdo moment.”,- tha kryetari i Kuvendit, Talat Xhaferi.
Ngecja e disa pr/ligjeve në komisione, Xhaferi: Disa kryetarë frenojnë punimet
Por punimet në Kuvend nuk ngecin vetëm për shkak të fushatës. Një numër i konsiderueshëm i projektligjeve kanë mbetur pa miratuar për shkak të ngecjes në komisione. Kryeparlamentari Xhaferi me vërejtje për disa kryetarë komisionesh të cilët nuk thërrasin séance dhe mbajnë peng disa projektligje.
“Për mosrespektim të atyre afateve as unë si kryetar Kuvendi, as Parlamenti si plenum nuk ka kompetenca për të ndëshkuar sjelljen e tillë të kryetarëve të Komisioneve për faktin që deputetët sipas kushtetutës për vendimet në Parlament nuk kanë përgjegjësi penale. Mbetet në ndërgjegjen e kryetarëve të komisioneve të cilët përgjegjësi kryesore japin para votuesve të vetë.”,- u shpreh kryetari i Kuvendit, Talat Xhaferi.
Sa i përket nismës së opozitës maqedonase për formimin e një Komisioni anketues për fatkeqësinë në spitalin modular në Tetovë, Xhaferi edhe njëherë përsëriti arsyen se refuzimi i nismës ishte për shkak të mospërdorimit të emrit kushtetues nga ana e parashtruesit. Madje, personalisht konsideron se formimi i një komisioni të tillë tani është i hershëm.
SHPËTIM NUREDINI
