City ‘ngrin’ Romën në ‘Olimpico’, Barça mposht PSG-n

11.12.2014 14:48

Manchester City është kualifikuar për fazën tjetër të garave në Ligën e Kampionëve, pasi që të mërkurën mbrëma mundi Romën në ‘Olimpico’ me rezultat 0-2, në kuadër të Grupit E.....

Përballja në mes skuadrës italiane dhe kampionëve të Anglisë, ka dhënë lojë mjaft të fortë, ndërsa ‘qytetarët’ me super golin e Samir Nasrit (60) kaluan në epërsi prej 0-1, ndërkaq, Zabaleta (86), i jep goditjen e fundit ‘romakëve’, derisa City siguron kualifikimin në rundin tjetër të garave.

Futbollistët e Romës edhe pse humbën ndeshjen, treguan paraqitje të mirë, madje krijuan shumë raste, duke qëlluar edhe shtyllën, por pa mundur që ta dërgojnë topin në rrjetë.

Në këtë grup, Bayern Munich me një gol te Thomas Mullerit (18), një gol te Rode (84) dhe një gol të Gotze (90), mundi CSKA me rezultat 3-0. ‘Bavarezët’ me 18 pikë të tubuara si lider të grupit kualifikohen në rrethin tjetër të garave.

Në Grupin F, Barcelona mundi PSG me rezultat 3-1, në ‘Camp Nou’. Lionel Messi (19), Neymar (41) dhe Luis Suarez (77) shënuan për katalonasit, kurse golin e vetëm për francezët e PSG e realizoi Zlatan Ibrahimoviq (15). Barcelona si lideri i grupit më 15 pikë kualifikohet bashkë me PSG që ka 13 pikë.

Në Grupin G, Chelsea arrin edhe një fitore duke mundur Sportingun me rezultat 3-1 në ‘Stamford Bridge’. Skuadra e Jose Mourinhos më 14 pikë të grumbulluar ecën tutje në Champions bashkë me Schalken që mundi në udhëtim Mariborin 0-1.

Ndërkaq, në Grupin H, Porto dhe Shakhtar ndanë pikët duke luajtur baras 1-1, skuadra këto që kualifikohen në rrethin tjetër të garave.