Maqedoni
Zgjedhjet lokale 2021, “E majta” - vizioni për komunën “Gjorçe Petrov”
28.09.2021 17:24
Çrrënjosje të korrupsionit si dhe ndalim të zgjerimit të ndërtimeve, paralajmëron Aleksandar Dimitrijeviq...

Çrrënjosje të korrupsionit si dhe ndalim të zgjerimit të ndërtimeve, paralajmëron Aleksandar Dimitrijeviq - kandidati i partisë “E Majta” për të parin e komunës së “Gjorçe Petrovit”. Ai premtoi administratë komunale profesionale dhe digjitalizim të të gjithë dokumentacionit komunal. Me qëllim që të rritet transparenca, sipas tij, seancat e asamblesë komunale do të xhirohen. Kandidati i kësaj partie Dimitrijeviq tha se do të angazhohet edhe për aktivizimin e bashkësive lokale në territorin e komunës ku sipas tij do të punojnë njerëz të autorizuar për zgjidhjen e problemeve dhe nevojave të qytetarëve ndërsa premtoi se do të përgjigjet në postën elektronike që do ta pranojë dhe se do të ndajë dy orë kohë në ditë për të biseduar me qytetarët. Veç kësaj, Dimitrijeviq tha se do të angazhohet edhe në tërheqjen e investimeve të huaja për të cilët tha se do të kenë mundësi të shfrytëzojnë privilegje të caktuara nëse punësojnë banorë të komunës së Gjoçe Petrovit. Ai gjithashtu tha se blegtorët dhe bujqit do të marrin ndihmë për të thithur fondet europiane si dhe shitje të garantuar për produktet e tyre.
“Ideja ynë për Gjorçen është që Gjorçeja ta ndryshojë imazhin e saj nëpërmjet nxitjes së investitorëve të cilët do të investojnë në Gjorçe dhe në këtë mënyrë Gjorçeja do të shndërrohej në një komunë e cila do të mundej të ofrojë përmbajtje të ndryshme përkatësisht përmbajtje zhvillimore industriale. Çfarë dua të them me këtë, Gjorçeja është lagje me interes sepse ka pjesën rurale dhe atë urbane. Pjesa urbane është ajo që tani po ndërtohet në mënyrë të tepruar dhe patjetër t’i themi stop mafias urbane ndërsa pjesa rurale e Gjorçes është ajo pjesë ku banorët merren me bujqësi dhe blegtori. Të gjithë e dimë se për pjesën rurale aranzhohen fonde të mëdha, parafonde dhe fonde evropiane dhe ne si komunë do të kishim mundësi tu ndihmojmë bujqve dhe blegtorëve që të formojnë kooperativat e tyre bujqësore dhe fermat e blegtorëve nëpërmjet fondeve IPARD, me punësimin e administratës publike të cilët do të kujdesen apo do t’i këshillojnë këta bujq dhe blegtorë se si më lehtë të arrijnë deri te këto fonde dhe në këtë mënyrë do të zhvillohej edhe ajo pjesë e ekonomisë.”,- tha kandidati i të Majtës për “Gjorçe Petrovin”, Aleksandar Dimitrijeviq.
Duke premtuar kushte më të mira për banorët e “Gjorçe Petrovit”, Dimitrijeviq tha se pas identifikimit të problemeve me të cilat përballen banorët e kësaj komune do të kujdeset për forcimin e administratës komunale. Ai premtoi gjithashtu se do të angazhohet për ndërtimin e çerdheve për fëmijë, terreneve sportive për të rinjtë, zgjidhjen e problemit me furnizimin me ujë të pijshëm për lagje të caktuara, transport publik të rregullt për të gjitha vendbanimet si dhe zvogëlimin e papunësisë në këtë komunë.
NAIM RAMADANI
