River Plate fiton Copa Sudamericana
Ashtu sic pritej ekipi argjentinas mposhti pa shumë vështirësi në “Estadio El Monumental” të Buenos Airesit, kolumbianët e Atletico Nacional me rezultatin 2-0....

Është River Plate skuadra kampione e Copa Sudamericana për vitin 2014. Ashtu sic pritej ekipi argjentinas mposhti pa shumë vështirësi në “Estadio El Monumental” të Buenos Airesit, kolumbianët e Atletico Nacional me rezultatin 2-0 dhe falë barazimit 1-1 në ndeshjen e parë, River Plate arriti të fitonte për herë të parë në histori Copa Sudamericana.
Spektakli në “El Monumental” nisi me atomsferën fantastike që kishin krijuar tifozët e Riverit në shkallët e stadiumit, me këta të fundit që shquhen si një nga tifozeritë më të zjarrta në Botë.
Argjentinasit e nisën me marshin e pestë ndeshjen por portieri i Atletico Nacional, Armani i tha dy herë jo golit të River Plate-it në pjesën e parë duke ndalur fillimisht tentativën e sulmuesit Teofilo Gutierrez dhe më pas atë të Rodrigo Mora.
Gjithsesi vendasit arritën të zhbllokonin rezultatin dhe e bënë këtë me mbrojtësin Marcado i cili goditi saktë me kokë brenda zone pas një harkimi nga këndi i Leonardos.
“Los Milionarios” i vunë vulën fitores vetëm 4 minuta më pas kur qëndërmbrojtësi Pezella realizoi edhe golin e dytë që ishte një kopje identike e të parit. Sërish krosim i Leonardos nga këndi dhe nga brenda zone Pezella kërceu më lart se të gjithë duke e depozituar topin në rrjetë me një goditje të saktë me kokë.
Deri në fund të takimit nuk ndryshoi asgjë në rezultat dhe vërshëllima përfundimtare e arbitrit bëri që “El Monumental” të shpërthente në festë. Gëzimi i tifozëve dhe skuadrës së Riverit ishte akoma edhe më i madh kur kapiteni Fernando Cavenagi ngriti në qiellin e Buenos Airesit trofeun e Copa Sudamericana.
