Rama anulon shkuarjen në Novi Sad, Nesho: E detyruar nga ngjarjet e fundit në Kosovë

29.09.2021 12:53

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama....

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka anuluar pjesëmarrjen në takimin e Novi Sadit në përvjetorin e nismës së Minishengenit, e cila më pas u pagëzua me emrin Ballkani i Hapur.

Për ish-ambasadorin në OKB dhe njohësin e çështjeve të rajonit Agim Nesho, shkak i këtij anulimi janë tensionet e krijuara në veri të Kosovës ditët e fundit, teksa e sheh këtë lëvizje të Ramës të detyrueshme, dhe të duhurën.

“Ngjarjet e fundit që kanë ndodhur në kufirin Kosovë Serbi, e bëjnë të pamundur një vajtje të tillë kur problemi kryesor mes vendeve ballkanike është “ Open Ballkan”, një iniciativë që tregon  një dominim të ri të  ish Federatës Jugosllave plus Shqipërinë. Ngjarjet e fundit kanë polarizuar qëndrimet e palëve pasi si RMV si Shqipëria e Mali i Zi, janë anëtarë të NATO-s e duket që nacionalizimi i ri serb,  punon sot nën ombrellën e nacionalizmit rus.”,- deklaroi ish ambasadori i Shqipërisë në OKB, Agim Nesho.

Nisma “Ballkani i hapur”, Nesho: Pa perspektivë, prioritet procesi i Berlinit

Për ish-ambasadorin Nesho, tanimë është e qartë, se nisma e Ballkanit të hapur po shkon drejt shuarjes, teksa analizon edhe qëndrimet paralajmëruese të kancelares Merkel dhe presidentes së Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, në Tiranë e Shkup.

“Procesi i Berlinit nuk mund të zëvendësohet me diçka tjetër. Asnjë iniciativë, pavarësisht se nuk të pranohet, duhet të jetë bashkëpërfshirëse e jo përjashtuese. Nuk mendoj se do të ketë një perspektivë afatgjatë kjo iniciativë.”,- u shpreh ish ambasadori i Shqipërisë në OKB, Agim Nesho.

Vizita e Ramës në Kosovë, Nesho: Vizitë e vonuar dhe e detyruar

Lëvizjet e fundit të kryeministrit Shqiptar, përfshirë edhe vizitën në Kosovë, Nesho i sheh megjithatë të vonuara.

“Ne kemi parë kryeministrin Rama që është një protagonist në politikën e jashtme shqiptare ndoshta jashtë rregullave klasike në pozicionet që duhen mbajtur.  Ka një avancim të politikës së jashtme por pa një bosht të qartë ku do kthejë. Vizita në Kosovë ishte e detyrueshme,  marrë parasysh rolin që Shqipëria duhet të luajë në Ballkanin Perëndimor.”,- theksoi ish ambasadori i Shqipërisë në OKB, Agim Nesho.

Pjesëmarrjen në takimin e Novi Sadit e ka anuluar për shkaqe shëndetësore edhe kryeministri serb Vuçiq. Ai sipas njoftimit zyrtar është sëmurë me grip e kryeministrja Bërnabiq thotë se imuniteti i presidentit është dobësuar edhe nga pagjumësia për shkak të situatës në kufirin me Kosovën. (Luljeta Ndoka, TVM2)