Maqedoni
Regjistrimi i popullsisë, Mariçiq: Përpiqemi që procesi të përmbyllet në kohë
29.09.2021 15:11
Ministri i drejtësisë, Bojan Mariçiq, potencon se në bashkëpunim me ESHS-në...

Ministri i drejtësisë, Bojan Mariçiq, potencon se në bashkëpunim me ESHS-në, po bëhen përpjekje maksimale që procesi i regjistrimit të popullsisë të përfundojë në afatin e caktuar, më 30 shtator.
“Në rajone te caktuara regjistrimi është realizuar tërësisht dhe regjistruesit e atyre rajoneve vazhdojnë në rajone ku ka nevojë për regjistrues. Janë hapur dhe punkte ku qytetarët mund vetë të shkojnë të regjistrohen. Jemi në kontakt me Entin Shtetëror të Statistikës dhe në bazë të vlerësimeve të tyre do të marrim vendime për më tutje. Qëllimi ynë është që ky proces të përfundojë në kohë por gjithsesi që për vendimet që do të marrim do të informojmë opinionin.”,- tha ministri i drejtësisë, Bojan Mariçiq.
Arsovski: Po konfirmojmë sa qytetarë nuk janë regjistruar
Megjithëse ESHS nuk e përjashto si mundësi, qeveria nuk ka diskutuar në mbledhjen e fundit për shtyrjen eventuale të regjistrimit.
“Në më pak se dy ditë nga përfundimi i regjistrimit, po bëhen analizat përfundimtare për personat që eventualisht kanë mbetur pa regjistruar dhe po përmbyllen regjistrimet në Shkup ku ka koncentrim më të madh të banorëve. I gjithë përqendrimi është në ato shtëpi ku regjistruesit nuk kanë kaluar.”,- theksoi zëdhënësi i qeverisë, Dushko Arsovski.
Deri përfundimin e regjistrimit mbetet edhe një ditë për aktivitete në terren. Përveç në shtëpitë e veta, qytetarët mund të regjistrohen edhe në pika të caktuara në komunat e veta, që i hapi Enti shtetëror i Statistikave. Lokacionet për regjistrim janë të kapshme në ueb faqen e ESHS-së.
GAZMEND REXHEPI
