Maqedoni

“Rojters”: Mospajtime në BE për zgjerimin në Ballkan

29.09.2021 15:53

Institucionet e Bashkimit Evropian e kanë vështirë të japin garanci për zgjerimin e Unionit në Ballkanin Perëndimor...

Institucionet e Bashkimit Evropian e kanë vështirë të japin garanci për zgjerimin e Unionit në Ballkanin Perëndimor për shkak të dilemave që kanë disa vende anëtare rreth zgjerimit por edhe për shkak të zhvillimeve të fundit në rajon. Në prag të samitit të liderëve të BE-së dhe Ballkanit, të paralajmëruar për më një tetor në Bërdo të Sllovenisë, Agjencia e lajmeve multimediale “Rojters” ka botuar një shkrim ku thuhet se Bashkimi Evropian ende nuk ka arritur pajtim për të dhënë garanci për anëtarësimin e ardhshëm të gjashtë vendeve të Ballkanit. Shkrimi bazohet në qëndrime të katër diplomatëve anonim dhe një dokumenti të brendshëm.
 
“Në samit, BE-ja planifikonte të përsëriste premtimin e saj të bërë 18 vjet më parë për të dhënë "mbështetjen e saj të qartë për perspektivën evropiane të Ballkanit Perëndimor", sipas një projekt-deklarate të samitit të datës 11 shtator, të parë nga Reuters, kjo ka kaluar të paktën dy raunde bisedimesh pa marrëveshje, thanë diplomatët.”- shkruan gazetari, Robin Emot. 
 
Arsovski: Lajen dha mesazh pro negociatave
 
Mirëpo Qeveria pretendon të kundërtën. Bazuar në deklarimet e një dite më parë të kryetares së Komisionit Evropian, Fon der Lajen, qeveria konsideron se bisedimet duhet të fillojnë deri në fund të vitit, brenda presidencës sllovene. 
 
“Kryetarja e Komisionit Evropian Ursula Fon der Lajen nga Shkupi dha mesazhin për përkrahje të fortë, ishte mirënjohëse për përparimin e shënuar në reforma dhe tha se është e angazhuar që deri në fund të vitit Maqedonia e Veriut të fillojë negociatat për anëtarësim. Me atë që kemi arritur, Qeveria konsideron se kjo është e merituar plotësisht, dhe kjo do të jetë vërtetimi më i mirë se politika e BE-së për zgjerim nuk është vetëm deklarative.”,- theksoi zëdhënësi i Qeverisë, Dushko Arsovski.
 
Kryetarja e KE-së, dje në mënyrë deklarative tha se, e mbështet plotësisht hapjen formale të negociatave për anëtarësim me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë duke shtuar se BE përpiqet të bind Bullgarinë që të heq bllokadën. Pas kryetares së Komisionit Evropian, Ursula fon der Layen, në Shkup do të qëndrojë edhe eurokomisari për zgjerim, Oliver Varheji, si pjesë nga turneu i tyre ballkanik. 
 
SHPËTIM NUREDINI