Maqedoni

Varheji në Shkup, Zaev: Samiti i BE-së në Slloveni, shpresë për ne

29.09.2021 17:42

Perspektiva europiane e vendit sërish temë e bisedimeve në takimin e eurokomesarit për Zgjerim, Oliver Varheji...

Perspektiva europiane e vendit sërish temë e bisedimeve në takimin e eurokomesarit për Zgjerim, Oliver Varheji, dhe kryeministrit Zoran Zaev në Shkup.  Zaev  mban shpresa se  samiti i Këshillit të BE-së në Slloveni, do të jetë mundësi për të biseduar për veton bullgare e debllokimin e procesit integrues. 
 
“Një nga temat e bisedimeve ishte përgatitja që i paraprin samitit për Ballkanin Perëndimor javën e ardhshme në Slloveni ku do të kemi hapësirë  të shkëlqyeshme për diskutim të përbashkët.”,- ka shkruar Zaev në twitter.
 
Eurokomesari për Zgjerim, Varheji, bisedoi edhe në Sofje me politikanët bullgarë që  kërkuan hapa konkret nga RMV për të hequr veton. Kryetarja e KE-së, Von Der Leyen, të martën siguroi kreun qeveritar se Brukseli do të bëjë çmos që Shkupi dhe Tirana të mbajnë konferencën e parë ndërqeveritare me BE-në deri në fund të vitit.
 
NERMIN MULAKI FEJZULLAHU