Ndahen çmime për kompanitë me përgjegjësi shoqërore
Promovimi i humanitetit dhe përgjegjësia sociale, është një koncept me të cilin institucionet dhe kompanitë vendore integrojnë kujdesin për mjedisin dhe komunitetin në aktivitetet e tyre të biznesit mbi baza vullnetare....

Kështu vlerësuan përfaqësuesit e institucioneve dhe kompanive më të mëdha vendore, me rastin e ndarjes së çmimeve “Medalja e artë” dhe “Përkrahësi i bronztë”, që u jepen në shenjë mirënjohjeje ndërmarrjeve që tregojnë përgjegjësi shoqërore për bashkëpunimin e frytshëm dhe mbështetjen financiare të projekteve të organizatës për 5 vite me radhë.
“Qëllimi i punës tonë mbetet zbehja e vuajtjes tek qytetarët, mbrojtja e jetës dhe shëndetit, si dhe ngritja e nivelit të përgjegjësisë ndaj personave në nevojë. Këtë e bëjmë mjaft mirë deri më tani së bashku me kompanitë, me të cilat hapërojmë drejt përforcimit të ndjenjës humanitare”- deklaroi sekretari i përgjithshëm i “Kryqit të kuq” të Maqedonisë, Sait Saiti.
“Ministria e Ekonomisë, 7 vjet me radhë ndanë çmimin nacional për praktikat më të mira të përgjegjësisë shoqërore të ndërmarrjeve në Maqedoni në 5 kategori: sjellja ndaj të punësuarve, menaxhimi etik, marrëdhëniet e tregut, mbrojtja e mjedisit dhe investimet në komunitet. Deri më tani kompanitë kanë dorëzuar më shumë se 4000 projekte të përgjithshme shoqërore dhe disa prej tyre janë promovuar edhe në nivel evropian”- tha përfaqësuesi i Ministrisë së Ekonomisë, Avni Kallaba.
“Ju premtoj dhe ju siguroj se Postën e Maqedonisë do ta keni një partner të sigurt në të ardhmen”- theksoi drejtori i përgjithshëm i Postës së Maqedonisë, Faadis Rexhepi.
“Përmes këtyre aktiviteteve që i bëjmë si kompani përgjegjëse, ne i inkuadrojmë të punësuarit tanë për t’u mundësuar atyre të shohin se si jetojnë familjet në nevojë dhe në këtë mënyrë të ngrisim vetëdijen për të qenë njerëz sa më humanë në jetë”- u shpreh një përfaqësuesi i Kompanisë “Comfy- Angel”.
Nga Organizata e “Kryqit të kuq”, u bën thirrje kompanive vendore që të kyçen sa më shumë në iniciativat e “Kryqit të kuq”, për të përmirësuar sadopak gjendjen e personave në nevojë. (Valbon Bexheti, TVM2)
