Maqedoni
Zgjedhjet lokale 2021, ASh-Alternativa mbajtën tubim në Likovë
29.09.2021 18:12
Me sloganin “Pastër”, koalicioni Aleanca për Shqiptarët dhe Alternativa, para banorëve të komunës së Likovës mbrëmë...

Me sloganin “Pastër”, koalicioni Aleanca për Shqiptarët dhe Alternativa, para banorëve të komunës së Likovës mbrëmë, në fshatin Sllupçan, prezantuan kandidatin për kryetar të Komunës së Likovës Arsim Idrizin si dhe listën e kandidatëve për këshilltarë në këshillin e Komunës së Likovës. Të gjithë folësit në këtë tubim, paralajmëruan një epokë të re në menaxhimin e kësaj, ndryshe nga pushteti I deri tashëm lokal , cili siç u tha gati dy dekada s’ka bërë asgjë për banorët e këtushëm që vlen të përmendet. Përpos ndryshimit rrënjësor në infrastrukturë nga ky tubim u tha se rrënjësisht duhet të ndryshohet edhe sistemi i pushtetit në Likovë.
“Ne e dimë edhe se çdo ditë e shohim se komuna e Likovës është lënë pas dore, është përbuzur e poshtëruar. Por ne do të punojmë me shumë përkushtim dhe seriozitet që komunën e Likovës ta kthejmë në duart e qytetarëve, t’ia kthejmë krenarinë, dinjitetin, pastërtinë, tipare këto që na kanë munguar me dekada. Jam shumë i bindur se ne do të jemi fitimtar dhe do të jemi zëri i çdo qytetari në institucionin lokal”, tha kandidati për kryetar të komunës së Likovës - ASH-AAA, Arsim Idrizi.
Kryetari i Alternativës Afrim Gashi tha se tani është koha dhe moment i duhur për të ndryshuar rrënjësisht strukturat të cilat po udhëheqin me komunën e Likovës për shumë vite me radhë e të cilat nuk po bëjnë asgjë për ta ndryshuar mirëqenien sociale e infrastrukturore të banorëve të këtushëm, Likova ende ka rrugë të pa asfaltuara, ende nuk po bëhet ujësjellësi e kanalizimi, tha mes tjerash Afrim Gashi. Ai gjithashtu nënvizoi se me Arsimin kryetar komune për Likovën, kjo komunë do të ecë drejt zhvillimit në të gjitha sferat shoqërore.
“Rrugët e Likovës janë të pa asfaltuara, mungon ujësjellësi dhe kanalizimi, dhe nuk po bëhen. Hakmarrja partiake është këtu, urrejtja ndaj tjetrit vetëm për atë se ti nuk mendon si ai, prandaj Unë mendoj që Ju nuk guxoni të bini preh e këtyre mashtrimeve që ata mundohen edhe në vende tjera por edhe në Likovë. Jam i bindur se në komunën e Likovës vullneti politik për ndryshim është shumë më i madh këtë vit se sa vitin e kaluar. Arsimi është rruga e vetme për zhvillim, jam i bindur që këtë komunë do ta bëjë më të zhvilluar më të mirë dhe më të dobishme për të gjithë”,- tha kryetari i Partisë “Alternativa”, Afrim Gashi.
Kryetari i Aleancës, Ziadin Sela, para qytetarëve të kësaj komune foli për 20 vitet që kaluam e të cilat, siç pretendon ai na i çuan dëm dhe të cilat 20 vite nuk kontribuan për asgjë veç se kaluan duke nënçmuar, nëpërkëmbur e degraduar popullin shqiptar. Ky popull i përvuajtur i Komunës së Likovës meriton shumë më tepër se ç është bërë këto dekada. Andaj ne jemi ata, të cilët do t’i sjellim ndryshimet në Komunën e Likovës, e të cilat do ti ndiejnë të gjithë banorët e komunës së Likovës, tha ndër të tjera kreu i ASh-së, Ziadin Sela.
“Ne si ASH dhe AAA, e kemi marrë misionin për ta arritur ndryshimin dhe për ta sjellë ndryshimin dhe me këtë edhe demokracinë brenda për brenda shoqërisë shqiptare në RMV. 20 vite mos ndryshim pushteti është 20 vite njëmendësi, është 20 vite funksionarë e parti politike të cilët rriten në mendje dhe pastaj veprojnë orë e çast kundër interesave të qytetarëve. Këto 20 vite mund ti cilësojmë në forma të ndryshme, ama 1 dhe vetëm 1 është e pa falshme këto 20 vite kanë bërë që shqiptarit ti vritet ideali dhe kjo është e tmerrshme kur e mendon, është e tmerrshme kur e imagjinon se në çformë ka sy e faqe të dalin dhe paraqiten përpara shqiptarëve dhe të kërkojnë përkrahje përsëri”, tha kryetari i ASh-së, Ziadin Sela.
Nga ky tubim i Aleancës për Shqiptarët dhe Alternativës, që u mbajt në Sllupçan, u dërgua porosi e qartë se siç thanë ata me marrjen e pushtetit do ti ndryshojnë rrënjësisht gjërat sidomos në rrafshin infrastrukturor, ku nuk është punuar aq sa meriton popullata e Komunës së Likovës, të dy liderët gjithashtu u bë thirrje të gjithë atyre votuesve të papërcaktuar që pa hezitim dhe hamendje t’i bashkëngjiten karvanit të ASH dhe AAA, i cili me ardhjen në pushtet lokal do tu ofroj qytetarëve mirëqenie, zhvillim si në rrafshin social e infrastrukturorë, barazi, drejtësi, e në të gjitha sferat e jetës, që sipas tyre tash e një kohë të gjatë këto të mira qytetarit shqiptar po i mungojnë.
FATLUM AQIFI
