Haliti: Qëndrimin e BDI-së për stemën e sjell kryesia

11.12.2014 16:38

Deputeti i BDI-së, njëkohësisht edhe nënkryetar i Kuvendit të Republikës, Rafiz Haliti, ia ka “hedhur topin” kryesisë qendrore të partisë sa i përket vendimit që do të marrë kjo parti për propozim-stemën e re të republikës...

Pavarësisht mbështetjes që ministrat shqiptarë i kanë dhënë propozimit në seancën qeveritare, vendimtar do të jetë qëndrimi i kryesisë qendrore të BDI-së.

“Gjithsesi se kjo temë do të hapet në organet partiake, do të debatohet në kryesinë qendrore, kështu që do të analizohet, kuptohet pamja e stemës dhe vendimi do të merret në kryesinë qendrore. Grupi parlamentar i BDI-së do të respektojë vendimet e kryesisë qendrore, do të respektojë vendimet e organeve partiake, ku do të bëhen analiza të thukta”- deklaroi deputeti i BDI-së, Rafiz Haliti.

Të vetëdijshëm për kundërshtimin nga opinioni shqiptar, Haliti thotë se BDI-ja do të ketë parasysh edhe qëndrimin e elektoratit që e ka votuar, megjithatë përgjegjësia për vendimin do t’i takojë kryesisë qendrore.

“Gjithsesi se ne e kemi parasysh edhe mendimin e elektoratit tonë, i cili na ka mbështet dhe kuptohet, mbi të gjitha kryesia qendrore është ajo që mban përgjegjësi dhe sjell vendime”- tha Haliti.

Stema e republikës u ndryshua katër vite më parë nga koalicioni VMRO–BDI, kur iu hoq ylli, pasi konsiderohej se ylli simbolizonte ish-Sistemin Socialist. (Shpëtim Nuredini, TVM2)