Reciprociteti i targave, nuk ka marrëveshje, vijojnë bisedimet Kosovë-Serbi
Pas hyrjes në fuqi të masave të reciprocitetit....

Pas hyrjes në fuqi të masave të reciprocitetit për targat e automjeteve nga Serbia, vazhdojnë protestat dhe bllokadat në Jarinjë dhe Bërnjak.
Njësia Speciale e Kosovës ka zgjeruar e pikat e patrullimit në Bërnjak edhe në disa rrugë malore. Ndërkombëtarët vazhdojnë apelet për rikthim të dialogut dhe lejimin e lëvizjes së lirë. Por dialogu ngec.
Në Bruksel delegacionet e Kosovës dhe Serbisë po mbajnë takime ndaras me të Dërguarin e Posaçëm të BE-së për dialogun, Mirosllav Lajçak, por marrëveshje nuk ka edhe pse pala kosovare thotë se është arritur pajtueshmëri për një draft-marrëveshje, e cila do të siguronte uljen e tensioneve dhe një zgjidhje të përkohshme për çështjen e targave.
“Kemi arritur te një draft përfundimtar, i cili është dakorduar pothuajse në tërësi. Ka mbetur vetëm që pala serbe të japë dakordimin final. Nëse po, mund të fillojë zbatimi i marrëveshjes shumë shpejt.”,- tha shefi i delegacionit të Kosovës për dialog me Serbinë, Besnik Bislimi.
Teksti i draft-marrëveshjes me të cilën është pajtuar pala e Kosovës, parasheh që në një fazë kalimtare prej gjashtë muajsh targat e veturave të mos hiqen dhe ndërrohen, por vetëm të mbulohen me një letër ngjitëse.
Kosova do të tërheqë njësitë speciale të policisë nga pikat kufitare Jarinë dhe Bërnjak ku për një kohë të shkurtër do të vendosen njësitet e KFOR-it, dhe më pas do të hiqen edhe barrikadat që kanë bllokuar rrugët nga serbët lokalë.
Por delegacioni i Serbisë nuk e ka pranuar tekstin e marrëveshjes.
Presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, takoi presidentin serb Vuçiq, të cilit i potencoi se Serbia nuk mund të anëtarësohet në BE, pa e zgjidhur çështjen me Kosovën. Bashkëpunimi është rruga e vetme tha presidentja e KE-së.
Vuçiq pranoi se janë afër zgjidhjes së një marrëveshjeje për çështjen e targave dhe se duan paqe. Tha se nuk po vendosin kushte e se dialogu me Bashkimit Europian është themelor. (Gyltene Sinani, TVM2)
