Reciprociteti i targave Kosovë-Serbi, u arrit marrëveshje në takimet në Bruksel

30.09.2021 13:17

Arrihet më në fund marrëveshje për depërshkallëzimin....

Arrihet më në fund marrëveshje për depërshkallëzimin e situatës mes Kosovës dhe Serbisë. Qeveria e Kosovës vendosi masën e reciprocitetit për targat nga Serbia. Pas dy ditësh takime të ndara në Bruksel të delegacioneve të të dy vendeve me të dërguarin e posaçëm të BE-së për dialogun, Mirosllav Lajçak, më në fund marrëveshja u pranua nga të dyja palët, edhe pse pala serbe e refuzoi atë në takimin e së mërkurës.

 “Ne kemi një marrëveshje. Pas dy ditësh negociatash intensive, një marrëveshje për depërshkallëzimin dhe rrugën përpara sapo është arritur. Falënderoj Besnik Bislimin dhe Petar Petkoviçin për gatishmërinë e tyre për të negociuar dhe pajtuar për të mirën e njerëzve”, ka shkruar Lajçak në Twitter.

Marrëveshja ka tri pika:

-  Njësitet speciale policore të vendosura në pikëkalimet e përbashkëta kufitare në Jarinjë dhe Bërnjak, do të largohen bashkë me barrikadat, duke nisur nga 2 tetori, në orën 08:00 deri në orën 16:00 të asaj dite. Misioni i NATO-s në Kosovë, KFOR do të angazhohet në këto dy pika në Jarinjë dhe Bërnjak, para nisjes së tërheqjes së zyrtarëve policorë dhe barrikadave, dhe do të mbetet aty për dy javë për të garantuar sigurinë.

-  Nga 4 tetori do të nisë së zbatuari përkohësisht regjimi i letrave ngjitëse, në vend të heqjes së targave të makinave të regjistruara në Kosovë dhe Serbi, deri në gjetjen e një zgjidhjeje të përhershme.

-  Më 21 tetor do të nisë punën një ekip i përbërë nga zyrtarë të Bashkimit Evropian, Prishtinës dhe Beogradit për të gjetur një zgjidhje të përhershme. Brenda gjashtë muajve, prej nisjes së takimit të parë, i ashtuquajturi Grup Punues, do të prezantojë gjetjet për një zgjidhje të përhershme në formatin e dialogut të nivelit të lartë.

 Serbët lokalë kanë bllokuar rrugët që çojnë në pikëkalimet kufitare në Jarinjë dhe Bërnjak që prej 20 shtatorit. Njësia Speciale e Kosovës ka zgjeruar pikat e patrullimit në Bërnjak edhe në disa rrugë malore. (Gyltene Sinani, TVM2)