Ademi: E drejta për protestë, e garantuar
E drejta e protestës është e garantuar me ligj, prandaj Ministria e Arsimit dhe Shkencës dhe Qeveria respektojnë të drejtën e studentëve për protesta, deklaron ministri i Arsimit, Abdylaqim Ademi, i pyetur lidhur me protestën e djeshme të studentëve në Shkup.....

Njëherit, ai theksoi se pas publikimit të konceptit për provimin shtetëror të gjithë do të jenë të përfshirë në debatin publik, me qëllim të arritjes deri te një model i kapshëm për të gjithë.
“Më vjen mirë që protestat ishin të qeta dhe kishin të bëjnë me çështjen e arsimit. Ne kur të dalim me konceptin dhe modelin tonë për provimin shtetëror, këtë do ta bëjmë publik dhe do të ftojmë të gjithë që të kyçen në debatin publik, me qëllim që të arrijmë një model, i cili do të jetë i kapshëm për të gjithë, e veçanërisht do të jetë i pranueshëm për ata që do të duhet ta implementojnë në të ardhmen”- deklaroi ministri i Arsimit, Abdylaqim Ademi.
Ministri Ademi edhe njëherë përsëriti qëndrimin se provimi shtetëror ka për qëllim ngritjen e cilësisë së arsimit të lartë, bazuar mbi parimet e moscenimit të autonomisë së universiteteve, moscenimin e procesit të Bolonjës, të mos jetë ngarkesë shtesë për studentët dhe universitetet, si dhe të mos ketë efekt retroaktiv për studentët. (Gyltene Sinani, TVM2)
