Maqedoni

Zgjerimi i BE-së, Varheji: Çështja më e rëndësishme gjeopolitike

30.09.2021 15:59

Zgjerimi i BE-së me vendet e Ballkanit Perëndimor mbetet çështja më e rëndësishme gjeopolitike e Unionit...

Zgjerimi i BE-së me vendet e Ballkanit Perëndimor mbetet çështja më e rëndësishme gjeopolitike e Unionit, thotë eurokomisari për zgjerim, Oliver Varheji. Sipas tij, zhvillimet në Avganistan kanë shtyrë institucionet e Bashkimit Evropian që të reflektojnë rreth zgjidhjeve dhe vendimeve gjeopolitike që merr Unioni, posaçërisht në kontekst të zgjerimit dhe pranimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor. Në Forumin e Shoqërisë Civile të Ballkanit Perëndimor, komisioneri Varheji tha se tani është thelbësore për Evropën që të deklarohet rreth zgjidhjes më të rëndësishme gjeopolitike, që është integrimi i plotë i Ballkanit Perëndimor. 
 
“Shpresoj se javën që vjen, do të dëgjoni mesazhe të qarta nga liderët e Evropës, duke poentuar drejtpërdrejt në këtë drejtim. Sa i takon çështjes mes Shkupit dhe Sofjes po punojmë që të lëvizim përpara sa më shpejtë që të jetë e mundur këtë vit. Duam të lëvizim përpara edhe me vendet e tjera për të shënuar progres drejt BE-së.”,- deklaroi komisioneri për zgjerim, Oliver Varheji.
 
Dovzhan: Mbetet pjesë e prioriteteve tona
 
Edhe shteti kryesues me Unionin, Republika e Sllovenisë, rikonfirmoi zgjerimin si prioritet të saj dhe nevojën për përshpejtim të procesit.  
 
“Ballkani Perëndimor është pjesë e prioriteteve tona, një pjesë e rëndësishme, dhe ne besojmë se zhvillimi i qëndrueshëm i stabilitetit dhe prosperitetit në këtë rajon është me interes strategjik i Unionit Evropian dhe kjo është ajo që u vëmë në dijeni partnerëve tanë evropian se, ambiciet gjeopolitike të Unionit mund të realizohen përmes një Ballkani stabil.”,- u shpreh sekretari shtetëror i MPJ-së të Sllovenisë, Gashper Dovzhan.
 
Zaev: Pres që samiti i BE-së të zhbllokojë procesin
 
Integrimi i rajonit të BE është investim gjeostrategjik në paqen, sigurinë dhe rritjen ekonomike në gjithë kontinentin konsideron kryeministri, Zoran Zaev.  
 
“Sinqerisht shpresoj se mesazhet tuaja nga ky Forum do të jenë pjesë e shtysës së re që është aq e nevojshme në këtë moment dhe se më 6 tetor në Slloveni do të ndërmerren hapat e nevojshëm për të zhbllokuar zgjerimin e BE -së. Përparimi ynë në integrimin në BE para së gjithash duhet të varet nga reformat e brendshme ndërsa ne do t’i intensifikojmë bisedimet me Bullgarinë që të ndërmarrim hapa më afër zgjidhjes së çështjeve tona të ndërsjella.”,- tha kryeministri, Zoran Zaev.
 
Forumi për Shoqëri Civile të Ballkanit Perëndimor organizohet çdo dy vjet, që nga viti 2006 dhe ofron mundësi për shkëmbimin e pikëpamjeve mbi  gjendjen aktuale të shoqërisë civile në rajon, nevojat dhe zhvillimin e saj të ardhshëm. Kreu i Komitetit Evropian Ekonomik dhe Social, Dimitris Dimitriadis, ftoi shoqërinë civile, qeveritë dhe institucionet e BE-së që të përshpejtojnë bashkëpunimin për ndërtimin e një të ardhme të përbashkët me vendet e Ballkanit Perëndimor. 
 
SHPËTIM NUREDINI