Keqpërdorimi i të dhënave personale, shqetësim global

11.12.2014 17:04

Qytetarët, e sidomos të rinjtë, gjithnjë e më shumë e përdorin internetin.....

Por, në të shumtën e rasteve gjatë komunikimit në rrjetet sociale publikojnë edhe të dhënat personale, por ka edhe raste ku privatësia e tyre është rrezikuar.

Se si të përdoret interneti në mënyrë të sigurt dhe të drejtat e lirisë së shprehjes në internet, ishte tema e konferencës ndërkombëtare të organizuar nga Shoqëria.mk. Ata paralajmëruan qytetarët që të jenë të kujdesshëm gjatë shkarkimit të aplikacioneve të ndryshme.

“Ndër problemet më të mëdha në nivel botëror në lidhje me privatësinë, është që gjatë shkarkimit të aplikacioneve, zakonisht përdoruesit nuk lexojnë rregullat e aplikacionit , por drejtpërdrejt  klikojnë që pajtohen me rregullat dhe kjo pastaj mund të ketë pasoja të mëdha”- deklaroi ministri i Shoqërisë Informatike dhe Administratës, Ivo Ivanovski.

“Mendoj që në Maqedoni ka shumë nevojë të diskutohet për lirinë e shprehjes dhe jo vetëm të diskutohet, por të punohet më tepër, për arsye se liria e shprehjes ka shënuar rënie në Maqedoni dhe interneti ka mbetur mediumi i vetëm ku qytetarët mund të shprehen lirshëm”- tha drejtori i Fondacionit “Metamorforsis”, Bardhyl Jashari.

Këto konferenca janë shumë të nevojshme edhe për të rinjtë, si përdorues më të shpeshtë të internetit. Ata sot mësuan mënyrën se si të mbrohen nga abuzimet, si dhe nga keqpërdorimet që bëhen në internet.

“Ne mundohemi të ruhemi nga të gjitha këto informata. Për fat të keq abuzimi dhe keqpërdorimi i shumë informatave  ekziston dhe mënyra se si mbrohemi është që gjithçka që nxjerrim në internet të mundohemi të jetë sa më afër normales, mos të eskalojë në një ekstremizëm, ku do të keqpërdoren ato të dhëna”- u shpreh Arben Hajrullahu (student).                  

Edhe ambasadorja franceze, Lorens Oer, tha se gjithkush ka të drejtë të mbrojë privatësinë, përhapjen e urrejtjes dhe fyerjeve në internet, duke vënë në dukje se kjo është një çështje globale, për të cilën diskutohet dhe janë në kërkim të mënyrave për të gjetur zgjidhje. (Ersan Pajaziti, TVM2)