Maqedoni

Zgjedhjet lokale, ASh–AAA prezantoi këshilltarët për Manastirin

30.09.2021 16:16

Me moton “Pastër”, koalicioni Aleanca për Shqiptarët-Alternativa, promovuan në Manastir listën e kandidatëve për këshilltarë....

Me moton “Pastër”, koalicioni Aleanca për Shqiptarët-Alternativa, promovuan në Manastir listën e kandidatëve për këshilltarë. Në tribunën e organizuar u tha se slogani “Pastër” flet për përzgjedhjen që ata kanë bërë, të qenit në anën e duhur dhe të pastër si pasojë e dyshimit në gatishmërinë dhe mosinteresimin e pushtetit për të dalë ballë sfidave të përditshmërisë dhe halleve të qytetarëve të Manastirit. Bartësi i listës së këshilltarëve, Lirim Selimi, tha se garojnë në këto zgjedhje më të motivuar dhe më të vendosur se kurrë më parë për të qenë zëri i shqiptarit pakicë të qytetit të alfabetit, e që po ja humbin dalë nga dalë shkëlqimin. Këshilltarët e Aleancës besojnë në fitoren e 17 tetorit që më premtimet e tyre ti bëjnë realitet në këtë komunë ku zëri i shqiptarit ka qenë i heshtur ndërkaq të drejtat e mohuara. Do të insistohet në punësimin e shqiptarëve në ato ndërmarrje ku s’ka asnjë shqiptarë.
 
“Aleanca për Shqiptarët merr kuptimin e plotë mu këtu ku jemi sot, që me gjithë ato shantazhime, kërcënime dhe manipulime qëndrojmë stoik dhe dinjitoz si opozitë e palëkundur në kërkimin e të drejtave tona që na takojnë. Ne jemi të bindur se pas këtyre zgjedhjeve efektet e fitores do të reflektojnë në nivel lokal sidomos në ato ndërmarrje publike ku asnjëherë nuk ka pasur asnjë shqiptarë të punësuar.”,- tha bartësi i listës për këshilltarë ASh –AAA- Manastir, Lirim Selimi.
 
Në Manastir për herë të parë dilet me kandidatë për këshilltarë dhe vota e dhënë e shqiptarit këtu dhënë për Aleancën për Shqiptarët ka domethënie të veçantë tha kryetari i shtabit zgjedhor, Remzi Mehmedi. Programi parazgjedhor mbështetet në postulate kryesore për decentralizim të pushtetit dhe çrrënjosjen e korrupsionit në komuna. Sundimi i së drejtës dhe rritja e standardit të jetesës janë gjithashtu vizioni i opozitës shqiptare. 
 
“Pika jonë kryesore është decentralizimi i pushtetit, pasi që mendojmë se vetëm nëpërmjet kësaj çështje, qytetet tona do të mund të jetojnë në kushte më normale nga ajo që deri më tani është qeverisur dhe jemi të bindur se me kuadrin tonë të pastër ne do kemi sukses të qeverisim pa korrupsion dhe të sundojë drejtësia dhe jetesa të jetë më e mirë për qytetarët nëpër qytete të ndryshme.”,- u shpreh kryetari i shtabit zgjedhor –Ash, Remzi Memedi.
 
Koalicioni Aleanca për Shqiptarët-Alternativa garon në 15 komuna me kandidatë për  kryetarë. Fitoren e shohin në pjesën më të madhe të tyre, që më pas të realizojnë premtimet nga plan programi sikurse zhvillimi i ekonomisë, infrastrukturës, uljen e papunësisë, pengimin e largimit të shqiptarëve në mërgim si dhe avancimin e sistemit arsimor. 
 
MERAL ISMAILI