Maqedoni

Regjistrimi 2021, procesi statistikor përfundon pa afat shtesë

30.09.2021 16:31

Nuk do të ketë vazhdim afatit për operacionin më të madh statistikorë....

Nuk do të ketë vazhdim afatit për operacionin më të madh statistikorë, regjistrimin e popullsisë, amvisërive dhe banesave që filloi më 5 shtator. Afati pas 30 shtatorit, nuk do të vazhdohet edhe përkundër sfidave me thirrjet për bojkot, sulmeve të shkaktuara në sistem. Nga ESHS konfirmojnë se nuk do të ketë vazhdim të afatit të regjistrimit. Të njëjtin qëndrim ka edhe kryeministri Zaev.
 
“Ajo që nuk do të mund të arrihet, me siguri ESSH -ja do të tregojë se si dhe në çfarë mënyre do t’i sigurojë të dhënat eventuale që mungojnë. ESSH-ja ka zgjidhje për ata qytetarë të cilët refuzojnë të regjistrohen dhe atyre që dëshirojnë por që regjistruesi nuk ka arritur t’i regjistrojë. Ata që refuzojnë të regjistrohen duhet të jenë të sanksionuar.”,- deklaroi kryeministri, Zoran Zaev.
 
Regjistrimi ka vazhduar edhe në ditën e fundit, si nëpër shtëpi, po ashtu edhe lokacionet e hapura nëpër komuna. Në këto pika kanë pasur mundësi që gjatë gjithë javës së fundit, të regjistrohen ata qytetarë të cilët  nuk janë vizituar nga regjistruesit apo nuk kanë qenë në shtëpi kur regjistruesit kanë ardhur.
 
“Paraprakisht erdhën, megjithatë unë nuk kisha këtu, isha jashtë vendit dhe për këtë qëllim erdha këtu të regjistrohem. Ishte e organizuar,mbaruam shpejtë dhe sipas procedurës.”,- theksoi një qytetare.
 
“Regjistrimi do të zgjasë deri në orën 8 të mbrëmjes. Qytetarët që akoma nuk kanë marrë lajmërim nga regjistrues, duhet të presin se gjatë ditës do të kalojë regjistruesi. Ata të cilët nuk janë gjetur në shtëpi në kohën kur ka ardhur regjistruesi, lirisht mund të vinë të regjistrohen në komunë.”,- u shprehën nga Komisioni Regjistrues në Karposh.
 
Procesi i regjistrimit ishte i pari i mbajtur pas 20 vitesh sipas metodologjisë së re të Eurostat, e ku për herë të parë u mënjanua letra si pjesë e regjistrimit e të dhënat u regjistruan direkt online në sistem. Kjo do të ndikojë ndjeshëm edhe në afatin e nxjerrjes së rezultateve. 
 
FLORIJE BELULI KAMBERI