Maqedoni
Zgjedhjet lokale 2021, “E majta” prezantoi vizionin për Aerodromin
30.09.2021 18:02
“E Majta” opozitare me kandidaten e tyre, Vesna Kiraxhieva, në Aerodrom, ndër prioritetet do të kenë rregullimin...

“E Majta” opozitare me kandidaten e tyre, Vesna Kiraxhieva, në Aerodrom, ndër prioritetet do të kenë rregullimin, pastrimin dhe gjelbërimin e komunës. Atletja ndër vite, Vesna Kiraxhieva thotë se me marrjen e besimit nga qytetarët e Aerodromit, ku ajo garon do të angazhohet në largimin e deponive të egra në lagjen e Lisiçes nga e cila kundërmon erë e keqe gjithandej komunës dhe do të ngrit pastërtinë. Gjithashtu do të punohet në asfaltimin e rrugëve, përmirësimin e infrastrukturës dhe sinjalistikës rrugore. Ndërtimi i rrethrrotullimeve shikohet si opsion i uljes së kaosit në trafik dhe aksidenteve të shumta.
“Bulevardet duam ti bëjmë me rrethrrotullime, sa i përket urbanizimit në trafik, pasi që para së gjithash nevojitet një qarkullim I vazhdueshëm në komunikacion dhe në këtë formë edhe të ngadalësohet. Një pjesë e madhe e aksidenteve tek ne ndodhin për shkak të vozitjes së shpejtë posaçërisht për shkak të segmenteve të lartpërmendura. Konsiderojmë se ky është edhe një problem që duam të fokusohemi.”,- deklaroi kandidatja e Së Majtës në Aerodrom, Vesna Kiraxhieva.
Kiraxhieva thotë se do të angazhohet edhe në mënjanimin e politikës dhe partizimit në institucione. Ajo këtë e shikon si problematikë tejet serioze në Aerodrom dhe thotë se me ardhjen në krye të komunës do ta ndërpresë praktikën e punësimeve me libreza partiake.
“Ky sistem i partizimit dhe politizimit me të vërtetë duhet të çrrënjoset. E shohim gjatë gjithë kohës se si premtojnë, edhe pushteti i kaluar, edhe ky pushtet se kjo s’do të ndodh, megjithatë po ndodh dhe i gjithë ky sistem është i ngujuar për arsye se ne nuk mund të luftojmë si qytetarë kur hyjmë në një institucion të mos na shohin ndryshe, se vendi i tyre i punës do të rrezikohet nëse ne si qytetarë do të ankohemi kudo qoftë se jemi të pakënaqur pasi që janë kuadër partiak dhe nuk mund që të përballesh me këtë.”,- tha kandidatja e Së Majtës në Aerodrom, Vesna Kiraxhieva.
Për zhvillimin e kulturës planifikon ndërtimin e qendrës kulturor për të rinjtë, objekteve sportive si dhe zhvillimin e arsimit. Planifikimet e tilla, sipas Karaxhievës mund të bëhen realitet vetëm me një administratë të shëndoshë komunale të cilën e ofron “E Majta” në opozitë bashkë me kandidatët për këshilltarë komunalë.
MERAL ISMAILI
