Ademi dhe Tors, vizituan shkollën “Migjeni”

11.12.2014 17:10

Modeli “Nansen” për mësim të integruar, filloi që të aplikohet edhe në Shkollën Fillore “Migjeni” në Tetovë, pasi sot zyrtarisht është hapur edhe klasa e parë për mësim të integruar në këtë shkollë........

Modeli “Nansen” është një model i arsimit, i cili kultivon, nxit dhe integron në vete vlerat multietnike, dygjuhësinë dhe njëkohësisht e promovon dhe mbështet bashkëpunimin në mes të nxënësve dhe arsimtarëve, i cili është themeluar mbi respektimin e dallimeve, duke ndërtuar me këtë rast një bashkësi kohezive multietnike.

Ministri i Arsimit, Abdylaqim Ademi, tha se ky model po i integron fëmijët pa mos i cenuar të drejtat e tyre të gjuhës.

“Sot kisha takim me komisaren e OSBE-së, me zonjën, ku diskutuam për çështjet arsimore në Republikën e Maqedonisë, diskutuam për shumë tema të përbashkëta dhe projekte që ne i realizojmë edhe me OSBE-ne dhe organizata të tjera, që janë në funksion të përmirësimit të cilësisë së arsimit në Maqedoni, por edhe në funksion të afrimit të bashkësive të ndryshme etnike këtu në Maqedoni. Konstatimi i përbashkët ishte që Maqedonia, duke garantuar të drejtat për të mësuar në gjuhë amtare, njëkohësisht do të duhet të gjejë edhe mekanizma, të cilët do të mund t’i afrojnë nxënësit e bashkësive të ndryshme etnike, pa cenuar këtu të drejtën e tyre për të mësuar në gjuhën amtare, por njëkohësisht pa cenuar edhe të drejtat e tyre si etnitete që jetojnë këtu. Kjo mund të sigurohet nëpërmjet aktiviteteve të ndryshme jashtëmësimore, por edhe aktiviteteve të ndryshme të shkollave”- deklaroi ministri i Arsimit dhe Shkencës së Maqedonisë, Abdylaqim Ademi.

Modeli “Nansen” për mësim të integruar në Maqedoni, është i zhvilluar dhe praktikisht i aplikuar në vitin 2007, pas një pune dyvjeçare në projekte për dialog dhe pajtim në shoqëritë e ndara pas konflikteve në Maqedoni.

Prej atëherë, ky model aplikohet me sukses në disa shkolla fillore dhe të mesme, të selektuara nëpër komuna të ndryshme në Maqedoni dhe tregon rezultate të shkëlqyeshme. (Miftar Emini, TVM2)