Maqedoni
Mbyllet procesi i regjistrimit, u regjistruan 1,832,696 qytetarë në vend e 204.805 në diapsorë
30.09.2021 22:15
"Urime përfundimin me sukses të regjistrimit pas 20 vjetësh"...

“Urime përfundimin me sukses të regjistrimit pas 20 vjetësh”- kështu e nisi sonte pres konferencën Drejtori i Entit Shtetëror të Statistikave, Apostol Simovski. Ai përgëzoi stafin e EShS -së dhe të gjithë pjesëmarrësit e tjerë, por mbi të gjitha qytetarët që kontribuan për të ardhmen.
1,832,696 persona janë regjistruar në vend, ndërsa përmes aplikacionit në internet, në diasporë për 7 muaj janë vetë-regjistruar 204.805 qytetarë, kryesisht në vendet e Evropës Perëndimore dhe shumë pak në vendet jashtë shtetit. Regjistrimi i diasporës, sipas zv. Drejtorit Ilmi Selami ishte risi, dhe u zhvillua në mënyrë masovike, por ky numër mund te ishte edhe më i madh, pasi sipas të dhënave të Entit të Statistikave në diasporë ka diku mbi 400 mijë qytetarë të RMV-së.
Enti Shtetëror i Statistikave në ditët në vijim duhet t’i bëjë verifikimet e fundit dhe grumbullimin e të dhënave. "Janë regjistruar gjithsej 1,832,696 qytetarë, 568,175 familje dhe 837,255 banesa, ose e shprehur në përqindje, nga ndërtesat e banuara të mbuluara, 91% ishin subjekt i regjistrimit dhe vetëm 9% nuk i janë nënshtruar regjistrimit. Të gjitha objektet që ishin subjekt i regjistrimit, u vizituan disa here. Aty ku nuk janë gjetur qytetarët në shtëpi edhe pas disa vizitave, ata u ftuan të vetëregjistroheshin në komuna. Por në përpunimin e të dhënave do t'i kemi edhe ata, në mënyrë që të gjithë të përfshihen në këtë operacion statistikor. Duke pasur parasysh se ne nuk kemi një regjistrim të popullsisë për 20 vjet dhe nuk e dinim se me çfarë do të ballafaqohemi, nga këto të dhëna mund të konsiderohet se këto aktivitete janë zbatuar brenda kornizës së parashikimeve”, tha Simovski.
Rezultatet zyrtare nga regjistrimi ESHS duhet t’i publikojë më së voni për gjashtë muaj, gjegjësisht deri në fund të marsit të vitit 2022.
Qytetarët që për çfarëdo arsye nuk ishin pjesë e regjistrimit, do të hyjnë në regjistrim, sepse të dhënat përfundimtare do të merren prej disa bazave.
