Koreja e Veriut, testohet edhe një raketë e re anti-ajër
Koreja e Veriut tha se ka testuar....

Koreja e Veriut tha se ka testuar edhe një raketë të re anti-ajër “të zhvilluar rishtazi”.
Sipas agjencisë verikoreane të lajmeve KCNA, prova u krye të enjten kurse raketa ka një “performancë të jashtëzakonshme luftarake” dhe përfshin teknologji të reja.
Ditë më parë, Koreja e Veriut tha se ka testuar edhe një raketë të re hipersonike, e cila besohet se ka aftësi bërthamore.
Muajin e kaluar, ajo ka testuar edhe raketa lundrimi me rreze të gjatë veprimi dhe raketa balistike.
Sekretari amerikan i Shtetit, Anthony Blinken, tha se testet e tilla “krijojnë perspektiva më të mëdha për paqëndrueshmëri dhe pasiguri”.
Phenjani thotë se armët e tij janë të nevojshme për vetëmbrojtje dhe e akuzon SHBA-në dhe Korenë e Jugut për “standarde të dyfishta”.
Shteti komunist, tash e sa vite, është nën sanksione ndërkombëtare për armët e tij bërthamore dhe programet e raketave balistike.
