Reciprociteti për targat, të shtunën hiqet bllokada në Jarinjë dhe Bërnjak

01.10.2021 14:32

Pas dymbëdhjetë ditë bllokadë nga serbët lokal....

Pas dymbëdhjetë ditë bllokadë nga serbët lokal, të shtunën pritet të hiqet bllokada në dy pikat kufitare në Jarinjë dhe Bërnjak, që lidhin Kosovën dhe Serbinë.

Kjo parashihet me marrëveshjen mes dy shteteve në Bruksel, e cila siç bëri të ditur i dërguari i posaçëm i Bashkimit Evropian, Mirosllav Lajçak, parasheh që njësitet speciale policore të vendosura në pikëkalimet e përbashkëta kufitare në Jarinjë dhe Bërnjak, do të largohen bashkë me barrikadat, duke nisur nga ora 08:00 e së shtunës deri në orën 16:00.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se tani fillon epoka kur Serbia nis të mësohet me reciprocitet.

“Natyrisht, policia jonë kufitare në vijim do të zbatojë reciprocitetin e targave. KFOR-i do të qëndrojë aty, rreth dy javë, që gjithçka të jetë e sigurt”, shkroi Kurti në Facebook. Por presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq tha se për shtetin e tij “është e rëndësishme” që njësitë speciale të Policisë së Kosovës të tërhiqen nga veriu. Ndërkohë Opozita në Kosovë ka kritikuar kryeministrin Kurti se me këtë marrëveshje ka pranuar ta trajtojë ndryshe Veriun nga pjesa tjetër e Kosovës. Në reagimin e Partisë Demokratike të Kosovës thuhet: “PDK-ja ka mbështetur vendimin e qeverisë për vendosjen e reciprocitetit në targa, por tërheqja e saj nga ky vendim kaq shpejtë dhe në këtë mënyrë është dekurajuese dhe tejet shqetësuese për zhvillimet e ardhshme”. Edhe Lidhja Demokratike e Kosovës, e ka kritikuar qeverinë për këtë marrëveshje. “Në vend të shtrimit të sovranitetit e ligjshmërisë, Qeveria e Kosovës u tërhoq dhe dorëzoi këtë sovranitet tek një palë e tretë”.

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka kërkuar nga qeveria që ta publikojë tekstin integral të marrëveshjes për targat. Në mbështetje të marrëveshjes kanë dalur SHBA-ja dhe BE-ja.

Zëvendësndihmës sekretari amerikan i Shtetit për Evropën dhe Euroazinë, Gabriel Escobar, gjatë një konference për media në Bruksel, deklaroi se ishte e rëndësishme që Kosova dhe Serbia arritën marrëveshje për situatën në Veri.

Ndërkaq, shefi i diplomacisë së BE-së, Josep Borrell tha se pas kësaj marrëveshjeje, Kosova dhe Serbia duhet t’i rikthehen dialogut për normalizimin e raporteve. (Gyltene Sinani, TVM2)