Maqedoni

MSH: Infektimet me Covid-19, 79% e të hospitalizuarve, të pavaksinuar

01.10.2021 15:12

Raporti I fundit I ministrisë së shëndetësisë njofton se nga periudha prej prej 6 gushtit deri më 30 shator...

Raporti i fundit i Ministrisë së Shëndetësisë, tregon se nga periudha prej  6 gushtit deri më 30 shtator , janë regjistruar gjithsej 35.531 qytetarë pozitiv me Covid-19. Prej tyre, 23 %, përkatësisht 8233 persona, ishin të vaksinuar plotësisht, kumtoi Ministria e Shëndetësisë, duke përmendur se të vaksinuar konsiderohen personat me dy doza dhe të cilët kanë kaluar së paku 14 ditë të pranimit të dozës së dytë të vaksinës. 

“Është i madh numri i qytetarëve të pavaksinuar të cilët janë infektuar me Kovid-19. Sipas statistikës për javët e kaluara, 27 298 qytetarë, përkatësisht 77 për qind e rasteve pozitive nuk ishin të vaksinuar”, theksojnë nga Ministria e Shëndetësisë.
 
Të pavaksinuar janë 79 % e personave  të cilët në periudhën e cekur ishin hospitalizuar, përderisa 21 % e të gjithë pacientëve të hospitalizuar për momentin, janë plotësisht të vaksinuar.
 
Vdekshmëria tek të pavaksinuarit është më e madhe në mënyrë drastike, tregon analiza. “Në periudhën prej 6 gushtit deri më 30 shtator 2021, në territorin e shtetit vdiqën 1162 persona me Kovid-19, 987 nga të vdekurit nuk ishin të vaksinuar, ndërsa vetëm 15 % kishin marrë vaksinë. Sipas analizave, të vdekurit kanë pasur disa sëmundje të kombinuara kronike. Pacientët ishin të vaksinuar me të gjitha llojet e vaksinave të cilat janë në dispozicion tek ne, si dhe pacientë të cilët janë vaksinuar jashtë vendit me vaksinat ‘Moderna’ dhe ‘Xhonson'”, informon Ministria e Shëndetësisë.
 
Në kumtesën e MSH-së tregohet rëndësia e vaksinimit dhe potencojnë se secila vaksinë që është në dispozicion te ne, është e sigurt. U bën thirrje qytetarëve të vaksinohen, vetëm kështu do të arrihet imunitet kolektiv dhe do të parandalohet përhapja e mutacioneve të virusit.
 
FARIJE DAUTI BAKIU