Maqedoni

Regjistrimi i popullsisë, Zaev: U mbyll një proces i suksesshëm

01.10.2021 15:40

Republika e Maqedonisë së Veriut përfundoi regjistrimin e popullsisë, amvisërive dhe banesave.....

Republika e Maqedonisë së Veriut përfundoi regjistrimin e popullsisë, amvisërive dhe banesave. Janë regjistruar gjithësej 1.832.696 persona, për dallim nga regjistrimi paraprak i vitit 2002 kur vendi kishte 2.022.547 banorë rezident. Procesi u vlerësua i suksesshëm nga kryeministri Zoran Zaev, i cili meritat për këtë operacion statistikor, të munguar për dy dekada, ia dedikoi qeverisjes së tij. Sqaroi se numri i banorëve rezident është i përafërt me numrin e votuesve pasi në listën e votuesve janë të gjithë shtetasit që jetojnë në diasporë, e të cilët kishin të drejtë por jo edhe detyrim që të regjistrohen.
 
“Me gjasë nuk është regjistruar e gjithë diaspora. E di se rreth 200 mijë qytetarë nga disapora janë regjistruar, ndërkaq të gjithë e dijmë se diaspora është më e madhe. Të gjithë ata janë qytetarë dhe në bazë të shtetësisë, kanë adresë këtu dhe janë edhe listën e zgjedhësve. Nëse e shihni numrin e përgjithshëm e kuptoni logjikën pse jemi rreth 1.8 milonë votues dhe rreth 1.840.000 jemi banorë që jetojmë këtu.”, tha kryeministri Zoran Zaev.   
 
Kërmov: Regjistrim i kontabanduar
 
Përderisa pushteti e konsideron regjistrimin të suklsesshëm, partia “E Majta”, e cila ftonte në bojkot, e konteston atë.
 
“Regjistrimi është i pasuksesshëm edhe përkundër kërcënimeve dhe kontrabandës së regjimit të Zaevit. Më 30 shtator, populli maqedonas rrëzoi regjistrimin e kontrabanduar. Çdo qeveri e ardhëshme ka prioritet që të abrogoj regjistrimin e kontabanduar.”- shkruan deputeti të Majtës, Borisllav Kërmov.
 
Pas përfundimit të regjistrimit ditën e enjte, Enti Shtetëror i Statistikave raportoi se thirrjet për bojkot kanë dështuar dhe se janë regjistruar mbi 99% e qytetarëve.
 
Supozohet se rënia e numrit të përgjithshëm krahasuar me regjistrimin e vitit 2002 ka të të bëjë me emigrimin dhe rritjen e mortalitetit në raport me natalitetin.
 
SHPËTIM NUREDINI