Botë
Nis zbatimi i marrëveshjes për targat, zhbllokohen pikat kufitare Jarinjë dhe Bërnjak
02.10.2021 15:44
Pas 13 ditësh bllokade, këtë të shtunë janë tërhequr të gjithë kamionët barrikadues nga pika kufitare në Jarinjë...

Tërheqja u bë pas marrëveshjes në Bruksel për tërheqjen e barrikadave dhe protestuesve ana e Serbisë, si dhe tërheqjen e Njësisë Speciale nga ana e Kosovës. Kryetari i Leposaviçit, Zoran Tadiç i cili ndihmonte serbet largimin e tendeve të qytetarve serb u shpreh i gatshëm të vërë në zbatim marrëveshjen Kosovë-Serbi për reciprocitetin e targave, e firmosur dy ditë më parë në Bruksel.
Për disa media Tadiç tha se respekon kërkesën e ushtarëve të KFOR për lirimin dhe tha se populli është gati t’i heqë kamionët dhe t’i kthehet jetës normale.
“Ushtarët e KFOR kanë kërkuar që ne të lirojmë një korsi dhe ne e kemi bërë në mënyrë që ata të vijnë në lokacion ku do të vendosen në vend të forcave speciale. E kemi bërë atë që është kërkuar. Në momentin që lëvizin njësitë special, edhe makineritë hiqen. Kryesorja është të ruajmë paqen dhe të kthehemi në normalitet. Natyrisht se duhet respektuar marrëveshja dhe NATO është garantues. Ishim të përgjegjshëm gjatë kësaj kohe me barrikada”, u shpreh kryetari i Leposaviçit, Zoran Tadiç.
Shefi i egzekutivit të Kosovës Albin Kurti edhe përkundër insistimit të gazetarëve nuk dëshironte të prononcohet për zbatimin e marrëveshjes dhe largimin e barikadeve serbe. Marrëveshja e arritur në 30 shtator parashikon që nga 4 tetori të nisë regjimi i letrave ngjitëse në vend të targave, dhe kjo vlen për të dyja palët. Kosova tashmë ka bërë gati rreth 300 mijë pako me letra ngjitëse që do ta fillojnë t’ua vendosin mjeteve nga Serbia duke nisur nga katër tetori.
KFOR do të vazhdojë të qëndrojë në Jarinjë dhe Bërnjak edhe për dy javë të tjera në mënyrë që të garantojë sigurinë. Më 21 tetor duhet të nisë punën ekipi i përbërë nga zyrtarët të BE-së, Prishtinës dhe Beogradit për të gjetur një zgjidhje të përhershme ku prej nisjes së takimit të parë, të këtij Grup Punues, do të prezantohen gjetjet për një zgjidhje të përhershme në formatin e dialogut të nivelit të lartë.
REXHEP QAMILI
