Qeveria, propozon sanksionimin e administratorëve të pasuksesshëm

11.12.2014 18:12

Qeveria pretendon të rrisë cilësinë në administratë, duke disiplinuar nëpunësit administrativ përmes dënimeve.......

Dënime prej pesë deri në 20% të rrogës për gjashtë muaj radhazi do të ketë për të gjithë nëpunësit që nuk janë të dalluar në punë. Ndërkaq, do të shpërblehen me një rrogë më tepër vetëm 5% e nëpunësve të dalluar.

Propozimi erdhi në kundërshtim nga deputetët e të gjitha partive, përveç deputetëve të VMRO-DPMNE-së. Sipas deputetit të BDI-së, Rafiz Halitit, me dënime nuk mund të motivohet nëpunësi administrativ.

“Unë nuk pajtohem me këtë qasje që propozohet nga ana e qeverisë, nga ana e zëvendësministres, pasi mendoj se nëpunësit shtetëror duhet të motivohen, e jo të demotivohen. Parashihen dënime, ashtu siç janë paraparë, të cilat mendoj se nuk do ta motivojnë administratën shtetërore, përkundrazi, efekti nuk do të jetë ai që është qëllimi i propozim-ndryshimeve të këtij ligji”- deklaroi deputeti i BDI-së, Rafiz Haliti.

Ndërkaq, PDSh-ja vlerëson se propozim-ndryshimet, por edhe vetë ligjet janë në dëm të nëpunësve shtetëror dhe publik të shqiptarëve. Me to pamundësohet punësimi i kuadrove shqiptare, i merren kompetencat Sekretariatit për Zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit dhe si të tilla duhet të shfuqizohen dhe të miratohen ligje të reja.

“Me këto propozim-ndryshime të ligjeve, që u miratuan në shkurt e që duhet të hyjnë në fuqi në vitin 2015, shqiptarët përfundimisht duhet t’i thonë lamtumirë administratës. Do të mbeten vetëm disa si dekor dhe shteti do të flasë veç maqedonisht. Ndërsa Sekretariatit për Zbatimin e MO-së i merret edhe roli i vetëm që kishte si vëzhgues pasiv në procesin e punësimeve”- tha deputeti i PDSh-së, Bekim Fazliu.

Me propozim-ndryshimet e reja, nëpunësit do të vlerësohen jo vetëm nga eprorët, por edhe nga kolegët dhe klientët. Konformë rezultatit, nëpunësit do të ndahen në pesë grupe.

Prej tyre do të shpërblehen vetëm 5% e administratorëve, që do të marrin vlerësimin A, që nënkupton administratorë posaçërisht të dalluar, ndërsa do të dënohen të gjithë grupet e tjera, përfshirë edhe grupin e dytë B, i cili, sipas ligjit, nënkupton nëpunës të dalluar.

Sipas deputetëve, kjo është jashtë çdo logjike, madje edhe bazë për diskriminime në baza të ndryshme. (Shpëtim Nuredini, TVM2)