Maqedoni
Zgjedhjet lokale 2021, ASh-Alternativa mbajtën tubim në Tearcë
03.10.2021 13:19
Koalicioni Aleanca për Shqiptarët dhe Alternativa, prezentuan mbrëmë në Tearcë...

Koalicioni Aleanca për Shqiptarët dhe Alternativa, prezentuan mbrëmë në Tearcë kandidatin për kryetar Nazim Taipi dhe listën e këshilltarëve. Taipi, u shpreh i bindur në fitoren e tij. Tha se ka program konkret dhe zgjidhje reale për problemet.
Ne nuk premtojmë, ne planifikojmë dhe punojmë, deklaroi Taipi duke shtuar se mbështetja dhe votat në ditën e 17 tetorit , do të jenë pastra.
“Duke parë ngecjen e kësaj komune që ka nevojë për zhvillim, te unë dita ditës po shtohet bindja qe qeverisja e kësaj komune duhet të ndryshojë. Prandaj vendosa të bëhem pjesë e këtij ndryshimi aq të nevojshëm e bashkë me ju, sigurt do ta bëjmë ndryshimin”, u shpreh kandidati për kryetar të Tearcës nga ASh AAA, Nazim Taipi.
Krerët e koalicionit ASH-AA, Zijadin Sela dhe Afrim Gashi, thanë se kandidati Nazim Taipi ka ardhur nga diaspora për të sjellë shpresë për qytetarët në vendlindje. Programi i tij është i pasur dhe do të jetë shembull se si do të duhet të menaxhohet me komunën.
Është beteja ndërmjet ndryshimit, e me të ndërmjet demokracisë dhe lirisë, është beteja ndërmjet përgjegjësive dhe ndalimit të migrimit, dhe beteja ndërmjet atyre që duan ta ruajnë status kuon”, deklaruan krerët e koalicionit opozitar ASH-AAA, duke shtuar se me kandidimin e Nazim Taipit , dëshmojnë se diasporën nuk e llogarisin vetëm si trup votues.
“Sot në mesin tonë kemi një nga këto djem që ka ardhur nga diaspora në mënyrë që të kujdeset mirë për Tearcën. Dhashtë zoti pas tij të vijnë edhe të tjerët nga diapsora për të vazhduar jetën këtu në vendlindje”, theksoi kryetari i ASh-së, Ziadin Sela.
“Ai ka migruar atje është shkolluar dhe tash në moshë të pjekur kthehet në vendlindje për ta kthyer borxhin që e ndjenë ndaj vendlindjes së vet”, u shpreh kryetari i Alternativës, Afrim Gashi.
Ata shtuan se e kanë dëshmitar se dinë të drejtojnë me komunat. Nëse kërkoni në internet komunat më transparente dhe më të suksesshme do të ju dal lista e komunës së Gostivarit, Bogovinës, Negotinë-Vrapçshtës.
Nëse kërkoni komunat me më pak borxhe do të ju dalin përsëri emrat e këtyre komunave. Nëse kërkoni komuna për investime do të ju dalin përsëri këto komuna, thanë Sela e Gashi. Sipas tyre, me fitoren e Nazim Tapit do të fitojnë gjithë shqiptarët dhe do të hapet një derë e shpresës së madhe që gjithë shqiptarët që janë në perëndim të kthehen në trojet e tyre.
“Nëse arrijmë ta bëjmë këtë ky është akti më i lartë patriotik i shekullit 21. Ne tash na duhet patriotizëm real. Nëse nuk i krijojmë kushtet që rinia të kthehet këtu do të jemi gjeneratë që ka dështuar”, thanë nga koalicioni ASH AAA në Tearcë.
ADNAN HAJDARI
