Botë

Vetëvendosje: Reciprocitet ndaj Serbisë edhe në fusha të tjera

03.10.2021 15:43

Kosova do të vendosë reciprocitet ndaj Serbisë edhe në fusha të tjera, përveç se në targat e automjeteve...

Paralajmërimin e bëri Lëvizja Vetëvendosje e kryeministrit Albin Kurti. Pavarësisht presionit të ndërkombëtarëve, qëndrimi nuk ndryshon sa i përket formimit të Asociacionit të Komunave Serbe në Kosovë.
 
“Ne fillimisht duhet ta bëjmë një bilanc të marrëveshjeve të arritura deri më tani në Bruksel, do të shohim cilat marrëveshje po zbatohen, cilat janë barrierat dhe pengesat të cilës do formë që Serbia i ka ndaj Kosovës, qofshin ato barriera tarifore apo politike. Në të njëjtën monedhë, pastaj Republika e Kosovës do t’i aplikojë ndaj Serbisë. Në rastet kur shohim se ka ndryshim të qasjes atëherë kjo do të reflektojë edhe nga ana jonë. Reciprociteti është qasja e vetme dhe e duhur që ne do të ballafaqohemi me Serbinë. Lëvizja Vetëvendosje e ka të qartë qëndrimin sa i përket asociacionit të komunave serbe. Kjo pikë e marrëveshjeve që janë bërë në të kaluarën ka probleme me Kushtetutën e Kosovës. Ne konsiderojmë se ky propozim për themelimin e këtij entiteti është në dëm të funksiononim të brendshëm të Republikës së Kosovës, cenon elementet thelbësore të shtetit tonë”, u shpreh anëtari i kryesisë së Vetëvendosjes, Artan Abrashi.