Zgjedhjet Lokale, “E Majta” shpalos programin për Karposhin
Ndërprerja e ndërtimeve jashtë planit detal urbanistik....

Ndërprerja e ndërtimeve jashtë planit detal urbanistik, do të jetë njëri ndër prioritetet e Darko Ristovskit, kandidat i së Majtës për kryetar në komunën e Karposhit.
Ristovski tha se kandidon në këto zgjedhje për të zgjidhur këtë problem madhor por edhe shumë të tjera të Karposhit , sikurse uljen e kaosit nëpër rrugë dhe shtimin e vendeve për parkim duke ndërtuar parkingje në kate. Vëmendje do t’i kushtohet edhe hapësirave të gjelbërta.
Ristovski duke e shikuar veten si opsion i duhur për Karposhin, premton se do të ndërtojë park përgjatë komunës si vend rekreimi për të gjithë banorët.
“Ne nga e Majta për momentin jemi opsioni i vetëm i vërtetë për qytetarët. Unë si kandidat për kryetar të komunës premtoj se do t’i zgjidh këto probleme madhore dhe kryesore. Për ne prioritet është revizioni i planeve detale urbanistike, të cilat do të ndalojnë ndërtimin pa plan, përfundimisht ndërtimin e parkingjeve në kate aty ku është e mundur dhe e nevojshme. Parku përballë Kaposh 4 deri në qendrën sportive Boris Trajkovski përfundimisht do të ndërtohet.” – tha kandidati i “Së Majtës” në Karposh, Darko Ristovski.
Premtimi i Ristovskit në këto lokale është edhe menaxhimi i mirë i financave, pasi sipas tij komuna disponon me para por që ato duhet destinuar në projekte të duhura zhvillimore në ngritjen e barabartë të standardit të qytetarëve.
“Çështje të tjera që tangojnë qytetarët janë edhe shpenzimet joproduktive që janë në komunë. Thjeshtë thënë komuna ka para, por vetëm duhet që financat të destinohen në drejtimin dhe vendin e duhur. Pjesa tjetër e programit ka të bëjë me urbanizmin, thjesht zona qëndrore e komunës ka kaluar nevojën e objekteve të reja banesore dhe propozimi ynë është që zhvillimi i komunës të shkoj kah veriu, gjegjësisht pjesës rurale të komunës së Karposhit.” – u shpreh Ristovski.
Ristovski , duke kritikuar udhëheqësit e mëparshëm të komunës, thotë se ata kanë lënë pas dore revitalizimin e sallës së sportit Partizan dhe thotë se do ta ringjallë atë nga shkatërimi. Projekti sipas tij, do të realizohet në një afat shumë të shkurtër kohor.
Kandidati i së Majtës Darko Ristovski, zotohet në zhvillimin e barabartë të komunës dhe jo vetëm të zonave të caktuara. Sipas tij komuna nuk mund të getoizohet në pjesët rurale ndërkaq diku të fitojë pamje të tjetërsuar me standarde ndërkombëtare. (Meral Ismaili, TVM2)
