Athinë, Pendarovski realizon vizitën e parë zyrtare

05.10.2021 15:00

Zbatimi i plotë i Marrëveshjes së Prespës....

Zbatimi i plotë i Marrëveshjes së Prespës dhe mundësitë për thellimin e bashkëpunimit maqedono-grek ishin ndër temat ku u fokusuan presidenti i vendit, Stevo Pendarovski, dhe homologia e tij greke, Katerina Sakelaropulu, në Athinë.

Takimi realizohet pas 30 viteve pavarësi të vendit, pasi që marrëdhëniet midis dyja vendeve ishin ngrirë si pasojë e mosmarrëveshjeve me emrin.

Takimi Pendarovski – Sakelaropulu, Pendarovski: Presim mbështetjen greke për BE

Çështja e zgjidhur me Marrëveshjen e Prespës tanimë tre vite, u vlerësua lartë nga presidenti Pendarovski, i cili kërkoi mbështetjen dhe ndihmën e Athinës për anëtarësimin e Maqedonisë së Veriut në BE.

“Të keni vizitë të nivelit të lartë pas 30 vitesh midis dy vendeve fqinje është një punë domethënëse. Ne paraprakisht kemi pasur bashkëpunim të shkëlqyer megjithatë mendoj se nga 2018-ta e këndej, Marrëveshja e Prespës na mundësoi zhvillim edhe më të mirë. Janë bërë shumë punë në zbatimin e kësaj marrëveshje, do të thosha pjesa më e madhe dhe më e vështirë është zbatuar. Marrëveshja e Prespës na mundësoi të hyjmë në NATO dhe qëllimi ynë i radhës, për të cilën presim ndihmën dhe mbështetjen tuaj është të nisim bisedimet me BE-në dhe të rrumbullakojmë ëndrrën euroatlanitike.”,- tha presidenti i RMV-së, Stevo Pendarovski.

Sakelaropulu: Mbështesim të ardhmen europiane të RMV-së

Presidentja e Greqisë, Katerina Sakelaropulu, theksoi rëndësinë që Greqia i jep thellimit të marrëdhënieve dypalëshe dhe për perspektivën europiane të Maqedonisë së Veriut.

Presidentja greke tha se integrimi varet edhe nga zbatimi I Marrëveshjes së Prespës.

“Do ta konfirmoja rëndësinë  që ne japim në përforcimin e marrëdhënieve dypalëshe dhe për të ardhmen europiane të Maqedonisë së Veriut. Do të pajtoheni se zbatimi i Marrëveshjes së Prespës është kyç për arritjen e këtyre dy qëllimeve. Nga ana e Maqedonisë së Veriut janë bërë hapa pozitiv, por megjithatë ekzistojnë edhe shumë çështje të pazgjidhura. Nga ana jonë ne i rishikojmë të gjitha aspektet e bashkëpunimit tonë dypalësh me qëllim përforcimin e mundësive dhe shfrytëzimin e dobishëm të tyre.”,- u shpreh presidentja e Greqisë, Katerina Sakelaropulu.

Pendarovski ka takuar edhe kryeministrin e shtetit Helen Kirijakos Micotakis. Në takim vizita zyrtare e Pendarovskit është vlerësuar si moment historik në thellimin e bashkëpunimit dypalësh.

Bashkëbiseduesit theksuan rëndësinë e ndërveprimit ekonomik dhe shkëmbimit tregtar si dhe avancimin e lidhjes infrastrukturore me fqinjin jugor. (Meral Ismaili, TVM2)