Tragjedia në spitalin modular në Tetovë, MPB: Shkaktar, një qark i shkurtër elektrik

05.10.2021 16:20

Një qark i shkurtër elektrik...

Një qark i shkurtër elektrik ka shkaktuar zjarrin në Spitalin Modular në Tetovë, ku humbën jetën 14 persona. Kështu ka rezultuar ekspertiza e Departamentit për ekzaminime mjeko-teknike dhe ekspertizë në Ministrinë e Punëve të Brendshme, e cila iu dorëzua Prokurorisë Themelore Publike në Tetovë.  

“Me ekspertizën përcaktohet se zjarri ka ndodhur si pasojë e një qarku të shkurtër elektrik përmes një rezistence të lartë kalimtare në kabllon e lidhjes së një defibrilatori me të cilin bëhej reanimi i një pacienti, në një nga dhomat e spitalit. Mbinxehja e kabllos shkaktoi ndezjen në kutinë e kyçjes së kabllos vazhduese në të cilin ishin lidhur defibrilatori, karikuesi i telefonit celular dhe një pajisje tjetër.”– thuhet në raportin e Departamentit për ekzaminime mjeko-teknike të MPB-së, njofton Prokuroria Publike.

Sipas ekspertizës, përhapjen e shpejtë të zjarrit e ka ndihmuar përqindja e lartë e oksigjenit në ambientet e spitalit. 

“Marrë parasysh që të gjithë pacientët ishin të kyçur në furnizimin qendror të oksigjenit dhe kështu përqindja e oksigjenit të pranishëm në të gjithë spitalin ka qenë e lartë, si dhe për shkak të dëmtimit të instalimit të oksigjenit gjatë zjarrit, zjarri u përhap në të gjithë objektin për një periudhë shumë të shkurtër. Për këtë ka kontribuar edhe fakti që në hapësirën e papafingos së ndërtesës nuk ka ndarje midis moduleve/dhomave dhe korridorit që do të ngadalësonte përçimin e zjarrit.”- thuhet në raport.

Zaev: Të shoh raportin e do të vendos për dorëheqjet

Publikimi i ekspertizës pritet të ndihmojë kryeministrin, Zoran Zaev, që siç ka deklaruar, të marrë vendim nëse do të pranojë dorëheqjet e deponuara të ministrit të shëndetësisë, Venko Filipçe, dhe bartësve të tij.

“E pritëm disa javë dhe është e radhës që ta shoh raportin dhe ju garantoj se sapo të mësoj të gjitha informatat nga ajo që është publikuar, do ta tregoj edhe qëndrimin tim rreth dorëheqjeve të ministrit dhe zëvendësministrit të shëndetësisë. Falënderoj institucionet që publikojnë raportet pasi qytetarët e prisnin dhe kjo është më e rëndësishmja. Raportet duhet të jenë profesionale dhe në kohë.”,- tha kryeministri, Zoran Zaev.

Kjo ekspertizë është vetëm një nga dëshmitë e ofruara deri më tani. Pritet që Prokuroria Publike Themelore e Tetovës të marrë raportet dhe të dhënat për të cilat prokuroria ka lëshuar urdhra dhe udhëzime për institucionet tjera kompetente, si dhe ekspertizën që duhet të arrijë në përputhje me ndihmën juridike ndërkombëtare të kërkuar nga një ekip ekspertësh nga Gjermania.

Pas mbledhjes së të gjitha provave verbale dhe materiale, pas shqyrtimit dhe analizimit të tyre, do të merret një vendim i prokurorit publik për rrjedhën e mëtejshme të procedurës. (Shpëtim Nuredini, TVM2)