Jankullovska: Ballkani i shqetësuar nga terroristët e huaj

12.12.2014 15:13

Çështja e sigurisë së një shteti, si dhe përballja me terroristët e huaj, kohëve të fundit paraqet një fenomen më të përgjithësuar.....

Andaj, këto dukuri kanë filluar t’i shqetësojnë jo vetëm shtetet evropiane dhe fuqitë e mëdha botërore, por edhe shtetet e Ballkanit Perëndimor.

Prandaj edhe në kuadër të Forumit të Ministrave të Punëve të Brendshme dhe të Drejtësisë, “EU-Ballkani Perëndimor”, që u mbajt në Beograd, u diskutua pikërisht për faktin se shtetet e Ballkanit janë tejet të brengosura për sigurinë e tyre nga fenomeni i luftëtarëve të huaj.

Në kuadër të këtij forumi, i organizuar nga kryesimi italian me Bashkimin Evropian, e pranishme ishte edhe ministrja e Punëve të Brendshme e Maqedonisë, Gordana Jankullovska. Ajo, në fjalimin e saj theksoi faktin se qasja ndaj këtij problemi, që mund të rezultojë edhe me terrorizëm, duhet bërë fillimisht me ndërprerjen e mbështetjes financiare të organizatave terroriste.

“Është e patjetërsueshme përballja me këtë problem, që imponon qasje gjithëpërfshirëse dhe i cili do t`i bashkojë masat për parandalimin e radikalizmit, që çon në terrorizëm, ndërprerje të mbështetjes financiare të organizatave terroriste, luftë energjike kundër ekstremizmit të dhunshëm, si dhe promovim të politikës së tolerancës fetare. Republika e Maqedonisë, vitin e fundit ka ndërmarrë më shumë aktivitete koordinuese për pengimin e një trendi të tillë”- deklaroi ministrja e Punëve të Brendshme, Gordana Jankullovska.

Duke biseduar në temën e caktuar, në luftën kundër terrorizmit, sidomos ndaj fenomenit të rekrutimit të luftëtarëve të huaj, Jankulloska theksoi se përveç strategjisë për luftën kundër terrorizmit 2011-2015, qeveria emëroi edhe një koordinator nacional për luftë kundër terrorizmit.

Përveç kësaj, janë miratuar edhe ndryshimet në Ligjin për Pjesëmarrje në Ushtri të Huaj, Para Ushtri, Polici, Para Polici, si dhe format e tjera të grupeve të armatosura. (Gyltene Sinani, TVM2)