Maqedoni

Qeveria: Morëm masa, qytetarët mos të shqetësohen

05.10.2021 17:50

Qeveria qetëson qytetarët. Nuk do të ketë rritje enorme të çmimeve...

Qeveria qetëson qytetarët. Nuk do të ketë rritje enorme të çmimeve, siç parashikoi një ditë më herët Oda Ekonomike. Pranojnë gjithsesi se rritja e lëndëve të para do të ndikojë në rritjen e çmimeve të produkteve por jo deri në masën 50%. thonë se janë marrë të gjitha masat, por nuk deshën t’i bënin publike me arsyetimin se mund të merren si paralajmërim parazgjedhor. 
 
“Nuk do të donim të tregojmë se cilat janë masat, ato do të sillnin në periudhë të caktuar kohore sepse interpretohen ndryshe. Së pari, për shkak të periudhës parazgjedhore, por edhe për shkak të masave që ende kërkojnë analiza shtesë nga ana jonë. Ta dëgjojmë anën tjetër, sepse të hënën  kemi pasur vetëm një deklaratë të tyre pa e parë se nga vjen ajo deklaratë, se mund të kemi goditje të mundshme të çmimeve në produkte të caktuara për qytetarët.”,- tha zëvendëskryeministri për çështje ekonomike, Fatmir Bytyqi.
 
Qetësojnë edhe për paralajmërimin për rritjen e çmimit të energjisë. Prodhimi vendor do të amortizojë rritjen  e çmimit të energjisë elektrike.
 
“Është shpallur tenderi për furnizim me qymyr sepse konsideruam se duhet të intervenojmë me prodhim shtesë të energjisë elektrike nga resurset tona vendore. Kjo ndodh jo pse dikush na e kërkoi një gjë të tillë, por se ndjekim gjendjen dhe vlerësojmë se kjo është politikë adekuate dhe si do të duhej Qeveria të garantojë siguri për sa i përket furnizimit me energji elektrike.”,- u shpreh zëvendëskryeministri për çështje ekonomike, Fatmir Bytyqi.
 
Nuk ka arsye për korrigjimin e çmimit të rrymës konsideron edhe kreu i KRRE-së Bislimovski. Sipas tij, EEM në tërësi i mbulon nevojat e furnizuesit universal për çmim prej 36 euro për megavat orë. 
 
GAZMEND REXHEPI