Maqedoni

Zaev e refuzoi dorëheqjen e Filipçes dhe Hasanit

05.10.2021 18:26

Kryeministri, Zoran Zaev, refuzoi dorëheqjet e ministrit të shëndetësisë, Venko Filipçe...

Kryeministri, Zoran Zaev, refuzoi dorëheqjet e ministrit të shëndetësisë, Venko Filipçe, dhe zëvendësit të tij, Ilir Hasani. Pas publikimit të ekspertizës së MPB nga ana e Prokurorisë Publike për shkaktarët e zjarrit në spitalin modular në Tetovë, Zaev konsideron se ministri dhe zëvendësi i tij nuk kanë asnjë përgjegjësi politike.    
 
“Nuk ka arsye që të konstatohet përgjegjësi politike apo menaxhuese të ministrit dr. Venko Filipçe dhe zëvendësministrit të shëndetësisë, Ilir Hasani, të cilët për arsye morale paraqitën dorëheqjen. Për gabimet e mundshme të krijuara nga faktori njeri do të deklarohen organet përgjegjëse. Mbetem në qëndrimin se nuk do të lejoj politizim të tragjedisë në spitalin e Tetovës.”,- deklaroi kryeministri, Zoran Zaev.
 
Zaev ka udhëzuar Ministrinë e Shëndetësisë që të përforcojë kontrollet në terren për të evituar tragjedi të ngjashme në të ardhmen.
 
“Menjëherë dhashë udhëzime në Ministrinë e Shëndetësisë që në kohë më të shkurtër të mundshme të bëhen kontrolle të mirëfillta në teren, në të gjitha spitalet modulare. Tani është me e rëndësishme që të përforcohen kontrollet dhe verifikimet që të ulet rreziku nga fatkeqësi të tilla të nxitura nga sende anësore... Me ç’rast humbëm 14 jetë.”,- tha kryeministri, Zoran Zaev.
 
Kryeministri Zaev konsideron se ministri aktual i shëndetësisë dhe zëvendësi i tij janë përballur me sukses me epideminë dhe me angazhimin e tyre profesional dhe politik kanë shpëtuar shumë jetë njerëzit, prandaj ua ribesoi mandatin në krye të sistemit shëndetësor.    
 
SHPËTIM NUREDINI