Hyseni: Qytetarët, jo të informuar për qasje deri te informatat
Nxënës të shkollave të mesme nga qyteti i Shkupit, studentë dhe profesorë u mblodhën në një punëtori kushtuar të drejtave për qasje deri te informacionet e karakterit publik.....

Ata janë njoftuar më shumë rreth të drejtave dhe ligjit që rregullon këtë çështje, si dhe obligimet që ka Komisioni për Mbrojtjen e të Drejtave të Qytetarëve për Qasje deri te Informacionet me Karakter Publik.
Zëvendëskryetari i Komisionit, Blerim Hyseni, thotë se pikërisht numri i vogël i qytetarëve që shfrytëzon këtë të drejtë, i ka detyruar të ndërmarrin aktivitete për të sensibilizuar më shumë ata për të drejtat e tyre.
“Projekti kishte për qëllim që sa më shumë të rinj të informohen me këtë të drejtë, të cilën qytetarët do të mund ta shfrytëzojnë, për të cilën unë jam i bindur se ata kanë nevojë ta shfrytëzojnë, por megjithatë sensibilizimi i opinionit dhe njohuritë e qytetarëve për këtë ligj ende janë të pakta, prandaj ne po bëjmë përpjekje që nëpërmjet trajnimeve dhe punëtorive të kësaj natyre të prekim sa më shumë qytetarë dhe ata sa më shumë të shfrytëzojnë këtë ligj dhe përparësitë e tij”- deklaroi zëvendëskryetari i KMDQIKP-së, Blerim Hyseni.
Nga OSBE-ja, të cilët mbështesin këto aktivitete, besojnë se aktivitetet e tilla do të ngrisin vetëdijen e qytetarëve për të drejtën e tyre.
“Unë besoj se aktivitetet e komisionit, të cilat mbështeten nga misioni i OSBE-së në Shkup, do ta përforcojnë përgjegjësinë, e cila më pas do të kontribuojë për më shumë transparencë dhe pjesëmarrje më të përforcuar të qytetarëve, të cilët janë krucial në implementimin e principit të supsidiaritetit”- tha Vjeçisllav Vorobiev nga OSBE.
Kryetari i Shkupit, Koce Trajanovski, i cili ishte nikoqir i këtij aktiviteti, tha se qyteti i Shkupit në nivel vjetor pranon qindra kërkesa për informacione të karakterit publik, ndërsa organet që drejton ai, me përkushtim e zbatojnë ligjin që rregullon këtë çështje.
Punëtori të ngjashme Komisioni për Mbrojtjen e të Drejtave për Qasje deri te Informacionet me Karakter Publik në bashkëpunim me OSBE-në, ka organizuar në më shumë qytete të vendit. (Naim Ramadani, TVM2)
