Maqedoni
Zgjedhjet lokale 2021, BDI mbajti tubim në Tearcë
06.10.2021 13:45
BDI programin zgjedhor me moton “Zgjidh jetë, voto blertë” e prezantoi para banorëve të komunë së Tearcës.....

BDI programin zgjedhor me moton “Zgjidh jetë, voto blertë” e prezantoi para banorëve të komunë së Tearcës. Qytetarë në këtë tubim u njoftuan me kandidatin për kryetar të kësaj komune Nuhi Nezirin, listën e kandidatëve për këshilltarë të kryesuar nga Besnik Osmani, si dhe programin e punës për mandatin e ri katërvjeçar. Zgjedhja e integruar e problemit me ujin e pijshëm, lidhja në rrjetin e kanalizimit për të gjitha fshatrat, zgjidhja e problemit të mbeturinave, dhe shndërrimi i deponive me material ilerte në parqe të gjelbra janë projekte parimore që premtoi ti realizojë kandidati për kryetar komune në Tearcë, Nuhi Neziri. Ne do të punojmë pa hezituar për të përmirësuar infrastrukturën rrugore komunale ndërsa banorët do të fitojnë shërbime kualitative më të lira dhe shumë frytdhënëse ka thënë Neziri.
“Gazifikimin depolitizimin e arsimit dhe mbështetjen e meritokracisë, shëndetësinë, agrikulturën, ekologjinë kulturën dhe sportin. Për të theksuar janë projektet e veçanta në arsim dhe kulturë si themelimi i një biblioteke i qendrës edukative multi-funksionale, rivitalizimi i shtëpive sportive kulturore si dhe kërkesën për rihapjen e shkollës së mesme në nivel komune.”,- tha kandidati për kryetar të Tearcës – BDI, Nuhi Neziri.
Neziri ka numëruar edhe projekte të tjera që do të realizojë menjëherë pas marrjes së besimit nga qytetarët për udhëheqjen e komunës së Tearcës. “Shpesh jam pyetur se pse kam vendosur të kandidohem për kryetar komune. E them me bindje se postin kryetar Komune nuk e shoh si funksion, por si shërbim. Nuk e shoh si privilegj, por si detyrë e obligim. E shoh si punë dhe angazhim i përbashkët për interesin e përgjithshëm. Shtëpia ime është në Tearcë, gjithmonë me dyer të hapura për të gjithë banorët që kanë ndonjë hall apo problem për të zgjidhur.
Kryetari i Integristëve, Ali Ahmeti, në fjalimin e tij ka thënë se Nuhi Neziri do të ketë të gjithë përkrahjen e partisë drejt fitores së radhës dhe vazhdimësisë së zhvillimit të Tearcës. Ai ka potencuar edhe rëndësinë e zbatimit të projekteve të “Agjendës së Blertë” për të avancuar standardin jetësor të qytetarëve dhe për të ruajtur pasuritë natyrore që posedojmë.
“Mos hezitoni po ashtu siç tha edhe Nuhiu t’i bindim edhe ata që nuk janë në vijën tonë, sepse ne që jemi këtu të gjithë jemi bashkë, por ka edhe të tjerë. Kemi për çka të flisni, keni çka t’ju thoni njerëzve për atë që kemi bërë dhe për atë që do të bëjmë. Asnjëherë nuk e kemi zhgënjyer elektoratin dhe vlerësuesi më i madh se ne nuk e kemi zhgënjye elektoratin, nuk i kemi zhgënjye qytetarët janë fitoret e 18 viteve radhazi pa asnjë humbje në të gjitha ciklet zgjedhore.”,- theksoi kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti.
Zotim para banorëve të Tearcës dha edhe Bartësi i listës së këshilltarëve të BDI-së për komunën e Tearcës, Besnik Osmani. Ai thotë se emërimin e tij si bartës liste për këshilltar e ka cilësuar si përgjegjësi për punë me përkushtim dhe transparencë. Unë zotohem se bashkë me kryetarin do të jemi një binom i pandashëm për realizimin e kërkesave dhe nevojave të çdo qytetari që graviton dhe jeton në komunën e Tearcës pa dallim lokaliteti apo ngjyrimi politik.
SANIJE DURAKU
