Zgjedhjet lokale 2021, ASH-AAA mbajti tubim në komunën e Haraçinës
Koalicioni Aleanca për Shqiptarët dhe Alternativa....

Koalicioni Aleanca për Shqiptarët dhe Alternativa aktivitetin zgjedhor e ka vazhduar para banorëve të komunës së Haraçinës.
Kandidati për të parin e komunës, Naim Sinani, duke shpalosur ofertën programore u përqendrua në problemet me të cilat përballen të gjitha vendbanimet e komunës së Haraçinës.
Gjendjen me infrastrukturën e dobët dhe mungesën e kushteve themelore për jetë, përfshirë ujin, kanalizimin, deponitë dhe mundësinë për ndjekjen e procesit edukativo-arsimor në kushte të barabarta, Sinani ua faturoi të gjitha partive politike që kanë qeverisur me pushtetin lokal në Haraçinë.
Sipas tij, qeverisjet e kaluara nuk e kanë kryer detyrën e tyre për çfarë janë mandatuar, sepse nuk kanë ditur apo nuk kanë dashur të merren me zgjidhjen e problemeve themelore të Haraçinës, pasi që, siç tha ai, kanë qenë të angazhuar me bizneset e tyre. Duke ftuar të gjithë votuesit me theks të veçantë intelektualët që të mbështesin ofertën e Koalicionit Aleanca për Shqiptarët dhe Alternativa me moton “pastër”, ai u zotua se do të bëjë çmos për ta përmirësuar këtë gjendje.
“Përveç ujit, përveç kanalit që kundërmon erë të keqe, Haraçina nuk e ka të zgjidhur edhe problemin e kanalizimit. Po ashtu ku ka më keq se 60 fëmijët e fshatit Bërnjacë që është pak metra nga këtu ta kenë të pamundur arritjen në shkollë këtu, respektivisht kryetarët e dy komunave të një koalicioni të mos jenë në gjendjen e 60 nxënësve.”,- tha kandidati për komunën e Haraçinës, Naim Sinani.
Krerët e koalicionit, Zijadin Sela e Afrim Gashi, në fjalimet e tyre para banorëve u shprehën të bindur se banorët e Haraçinës do ta përsërisin fitoren e zgjedhjeve parlamentare të vitit të kaluar. Duke ftuar votuesit të mbështesin programin e Koalicionit Aleanca për Shqiptarët dhe Alternativa, mes të tjerash Afrim Gashi tha se Naim Sinani si kryetar komune, do t’i shërbejë të gjithë qytetarët në mënyrën më të mirë të mundshme.
“Vitin e kaluar duke qenë koalicion shqiptar arritën të bëjmë fitore këtu dhe jam shumë i bindur që edhe tash këtë ecejake duhet ta vazhdojmë edhe në këto zgjedhje lokale, aq më tepër që para jush edhe ju që jeni këtu por edhe gjithë haraçinasit keni një njeri i cili gëzon dhe posedon të vlera të larta njerëzore intelektuale e familjare, siç është Naim Sinani.”,- tha kryetari i Alternativës, Afrim Gashi.
Banorëve të komunës së Haraçinës iu drejtua edhe bartësi i listës nga ky koalicion, Xhezmi Nebiu. Me përvojën që kemi Nebiu tha se do të jemi në gjendje të zgjidhim problemet e banorëve të komunës së Haraçinës. (Naim Ramadani, TVM2)
