Maqedonia synon të shfrytëzojë në tërësi mjetet nga IPA2
Maqedonia ka në dispozicion 664 milion euro nga fondet IPA2, të cilat mund t’i shfrytëzojë në periudhën nga viti 2015 deri në vitin 2020, për projekte në shtatë fusha të ndryshme.....

Sekretariati për Çështje të Integrimit, prezantoi para donatorëve dokumentin nacional strategjik për IPA 2015-2020, në një konferencë për koordinimin e ndihmës së huaj që vjen për RM-së.
Sipas zëvendëskryeministrit, Fatmir Besimi, vendi po përforcon kapacitetet institucionale për shfrytëzimin në masë të fondeve të rezervuara për Maqedoninë.
“Ky është një model që e kemi filluar tani, me qëllim që në periudhën e ardhshme të kemi një shfrytëzim të fondeve IPA dhe të ndihmave të tjera që vijnë për RM-së, për shkak se përvojat e deritanishme tregojnë që ky proces është i vështirë dhe realisht edhe këtë vit do të kemi një vlerë të fondeve IPA, të cilën nuk do të mund të arrijmë ta realizojmë deri në fund të vitit”- deklaroi zëvendëskryeministri për eurointegrime, Fatmir Besimi.
Fondet IPA2, Maqedonia mund t’i shfrytëzojë për projekte për qeverisje të mirë dhe demokraci, për përforcimin e shtetit ligjor dhe të drejtat fundamentale, për projekte për ambientin dhe ndryshimet klimatike, për transport, arsim, punësim, politikë sociale, zhvillim rural, agrokulturë, etj.
Një ndër projektet me rëndësi që financohet nga fondet IPA është edhe Korridori Tetë, pjesa Kërçovë-Lin. (Shpëtim Nuredini, TVM2)
