NATO dëboi 8 anëtarë të misionit rus
NATO dëbon tetë anëtarë të misionit rus në Aleancën Euro Atlantike...

NATO dëbon tetë anëtarë të misionit rus në Aleancën Euro Atlantike, pasi akuzohen se u përkisnin shërbimeve të inteligjencës në Moskë.
“Ne konfirmojmë se kemi tërhequr akreditimin e tetë anëtarëve të misionit Rus në NATO, të cilët ishin oficerë të padeklaruar të inteligjencës ruse”, tha një zyrtar i NATO-s. Me këtë vendim përgjysmohet ekipi i Moskës, i cili mund të vijojë punën në selinë në Bruksel. NATO gjithashtu reduktoi nga 20 në 10 numrin e pozicioneve, për të cilat Rusia mund të akreditojë njerëzit në organizatë.
Asnjë shpjegim i qartë nuk u dha për vendimin, i cili do të hyjë në fuqi në fund të muajit. Marrëdhëniet midis NATO-s dhe Rusisë janë tensionuar gjithnjë e më shumë që kur Moska aneksoi Gadishullin e Krimesë të Ukrainës në vitin 2014. Të dyja palët kanë mosmarrëveshje për zhvillimin e raketave bërthamore të Rusisë, ndërhyrjet ajrore në hapësirën ajrore të NATO-s dhe aeroplanët luftarakë. Moska i ka hedhur poshtë akuzat kundër diplomatëve rusë, duke i cilësuara të pabaza dhe paralajmëroi se masa e NATO-s do të tensionojë më tej marrëdhëniet.
