Më 17 dhjetor, USHT-ja shënon 20 vjetorin e themelimit

12.12.2014 17:38

Universiteti Shtetëror i Tetovës, më 17 dhjetor të këtij viti do të shënojë 20 vjetorin e themelimit.....

Ky universitet u themelua në vitin 1994, ndërsa u zyrtarizua në vitin 2004 dhe këtë vit jubilar e gëzon me një konsolidim të plotë, si në aspektin akademik po ashtu edhe në atë të zhvillimit të procesit mësimor-shkencor.

“Datën historike të themelimit të USHT-së do ta fillojmë me homazhe te varri i themeluesit dhe rektorit të parë të UT-së, prof. dr. Fadil Sulejmani dhe busti i dëshmorit të arsimit, Abdylselam Emini, për të vazhduar më pas edhe me një sërë aktivitetesh”- tha rektori i USHT-së, prof.dr.Vullnet Ameti.

“Fakulteti i Kulturës Fizike, më 15 dhjetor do të organizojë turnir të vogël në futboll me ekipe nga të gjitha fakultetet e Universitetit Shtetëror të Tetovës, ndeshje në basketboll në mes dy ekipeve të USHT-së, si dhe Krosin Studentor. Më 16 dhjetor, në Rektoratin e Universitetit do të hapet ekspozita e profesorëve dhe studentëve të Fakultetit të Arteve. Të njëjtën ditë, do të promovojmë Revistën “Filologjia” të Fakultetit Filologjik dhe ky numër i revistës i është kushtuar veprimtarisë arsimore dhe shkencore të prof. dr. Fadil Sulejmanit, njëherit rektor i parë i universitetit tonë. 16 dhjetorin do ta përmbyllim në Qendrën për Kulturë në Tetovë, me një program të pasur artistik, të përgatitur nga profesorët dhe studentët e Fakultetit të Arteve”- deklaroi rektori i USHT-së, prof.dr.Vullnet Ameti.

Sipas rektorit, Vullnet Ameti, më 17 dhjetor do të mbahet një akademi solemne, ku me vendim të Senatit të USHT-së do të ndahet titulli “Doktor nderi i shkencave” (“Doctor Honoris Causa”) për: prof.dr. Dhori Kule, prof.dr. Shezai Rrokaj, prof.dr. Petrit Bara dhe prof.dr. Mynyr Koni”. (Miftar Emini, TVM2)