Maqedoni

Zgjedhjet lokale 2021, LSDM mbajti tubim në Probishtip

07.10.2021 16:06

Lidhja Social-Demokrate e Maqedonisë mbajti tubimin në Probishtip ku rikandidon për një mandat të dytë kryetarin aktual të kësaj komune, Dragan Anastasov...

Lidhja Social-Demokrate e Maqedonisë mbajti tubimin në Probishtip ku rikandidon për një mandat të dytë kryetarin aktual të kësaj komune, Dragan Anastasov. Në fjalimin para simpatizantëve, Anastasov tha se gjatë mandatit të kaluar ka larë borxhet e trashëguara në vlerën 120 milionë denarë, ndërkaq ka realizuar një numër të konsiderueshëm të projekteve përmes donacioneve në vlerë 800 milionë denarë. Për mandatin e ri premtoi ndërtimin e infrastrukturës rrugore dhe zgjidhjen e problemit me deponinë fekale. 
 
“E jap fjalën para të gjithëve këtu se deri në fund të vitit 2023 deponia jo që do të jetë e mbyllur dhe e sanuar por në të do të ngrihet një nga centralet fotovoltaike më të mëdha në Republikën e Maqedonisë së Veriut. Bashkëqytetarë të nderuar, kurrë më nuk do të ngrihet pluhuri nga era që fryn nga jugu dhe kurrë më nuk do të ndotet toka nga ujërat atmosferik. Ky do të jetë prioriteti im kryesor.”,- deklaroi kandidati për komunën e Probishtipit – LSDM, Dragan Anastasov.
 
Anastasov njoftoi se ka miratuar planin e detajuar urbanistik për qendrën turistike Ponikva, ku planifikohet ndërtimi i shtëpizave turistike dhe objekte me qëllime komerciale. Premtoi subvencionim në masën 70% për fasada dhe kulme energjetikisht efikase për ndërtesat kolektive. Për vaditjen e hapësirave publike dhe në objektet publike do të përdoret vetëm ujë industrial. Ndërkaq, kreu partisë Zoran Zaev, gjatë  prezantimit të kandidatit dhe programit zgjedhor, premtoi projekte të rëndësishme, kapitale për Probishtipin, të cilat sipas tij oponentët as që mund t’i ëndërrojnë.
 
“Unë e di se ku prodhohen bateritë më të mira në vend, siç e dinë të gjithë të tjerët, në fabrikën që është këtu në komunën tuaj, është një milion investim i huaj. Por unë gjithashtu e di se ku bëhen frenat më të mirë, në pallatin e bardhë në qendër të Shkupit. Dhe është një investim milionësh, por i ndërtuar me paratë e njerëzve tanë. Por njerëzit nuk i duan frenat e Mickovskit”,- tha Zaev. Ftoi votuesit që të zgjedhin më të mirën për Probishtipin. 
 
“Për katër vjet, edhe paga mesatare dhe paga minimale janë rritur për së paku 100 euro. Iu përkushtuam çrrënjosjes së varfërisë. Ndihmën sociale e rritëm, jo për 3%, as për 30% por për 300%.Pensionet u rritën mesatarisht nga 2000 denarë. Nga një janari siç do rriten pagat me metodologjinë e re do të rriten edhe pensionet. Pasi vrima financiare që ishte hapur në Fondin Pensional është mbuluar.”,- theksoi kryetari i LSDM-së, Zoran Zaev.
 
Zaev u lëvdua edhe me rritjen e rrogës për minatorët si dhe lehtësimin e kushteve për pensionim e tyre, përkatësisht është shkurtuar për tetë vjet stazhi i punës në profesionin më të vështirë, theksoi ai. "Më e mira vjen nga LSDM dhe Koalicioni, më e mira për Probistipin është nën numrin 12!– tha Zaev dhe ftoi elektoratin në Probishtip që më 17 tetor, të rrethojnë numrin 12 dhe të votojnë për Dragan Anastasov-Ladic për kryetar komune dhe për listën e këshilltarëve të kryesuar nga Oliver Andovski. 
 
SHPËTIM NUREDINI