Maqedoni
Zgjedhjet lokale 2021, Koalicioni ASh-AAA mbajti tubim në Saraj
07.10.2021 16:49
Koalicioni Aleanca për Shqiptarët dhe Alternativa ka vazhduar aktivitetin parazgjedhorë në Komunën e Sarajit....

Koalicioni Aleanca për Shqiptarët dhe Alternativa ka vazhduar aktivitetin parazgjedhorë në Komunën e Sarajit. Duke shpalosur programin e tij kandidati i këtij koalicioni, Qerim Mamuti, banorëve të kësaj komune u premtoi një udhëheqje profesionale dhe efikase e cila do të jetë në shërbim të tyre. Me qeverisjen tonë Mamuti tha se mungesa e furnizimit me ujë të pijshëm dhe kanalizim për vendbanimet e Sarajit do të jetë e kaluar. Ai gjithashtu premtoi arsim cilësorë teksa nuk kurseu qeverisjen aktuale në komunë duke akuzuar atë për keqmenaxhim dhe mostransparencë të administratës lokale.
“Do ta çlirojmë komunën nga uzurpimi 12 vjeçar i BDI-së. Udhëheqësia profesionale bashkë me administratën me mua si kryetarë do të jemi në shërbim të qytetarëve me ndershmëri e me gjithë zemër, me moral të lartë dhe me seriozitet në problemet e tyre duke u bërë shërbëtorë dhe efikas”,- deklaroi kandidati i ASH-AAA për Sarajin, Qerim Mamuti.
Para banorëve të komunës së Sarajit, kreu i Alternativës Afrim Gashi tha se është koha e fundit që oponentët politik t’i përballim me mashtrimet e tyre nga e kaluara. Ai rikujtoi banorët se para një viti oponentët e tyre mashtruan sarajasit se do të kemi kryeministrin e parë shqiptarë, e cila sipas tij ishte vetëm një mashtrim. Duke ftuar votuesit të mbështesin kandidatin e tyre Gashi tha se do ta dëshmojnë se ishin fitues edhe vitin e kaluar në zgjedhjet parlamentare.
“Mendoj se 17 tetori është dita kur ne duhet ta kthejmë borxhin që na i morën vitin e kaluar. Nëse ata na mashtruan para një viti hajde bashkë me 17 tetor t’ua kthejmë atyre dhe t’u themi se fitorja ka qenë e jona.”,- u shpreh kryetari i Alternativës, Afrim Gashi.
Në fjalimin e tij, kreu i Aleancës për Shqiptarët, Ziadin Sela, u përqendrua në krahasimin e premtimeve dhe realizimin e tyre nga qeverisjet e kaluara të pushtetit lokal. Sipas tij vetëm nëpërmjet krahasimit të gjërave mund të bëhet zgjedhja e duhur. Mbështetja sociale,lufta kundër korrupsionit dhe ambienti i pastër ishin vetëm premtime boshe nga pushteti i kaluar, tha Sela. Duke ftuar banorët e komunës së Sarajit të mbështesin Qerim Mamutin për kryetarë komune ai tha se për dallim nga oponentët e tyre Qerim Mamuti është një kandidat para së gjithash i ndershëm dhe punëtorë i cili do vendlindjen e tij dhe do të kontribuojë në ndërtimin e saj.
“Ju do të keni për ballë kandidatë, njëri që përfaqëson gjërat më të liga që mund t’i ketë natyra e njeriut dhe nga ana tjetër e keni Qerimin i cili është i ndershëm mbi të gjitha.”,- tha kryetari i ASh-së, Ziadin Sela.
Banorëve të Sarajit iu drejtuan edhe bartësi i listës për qytetin e Shkupit, Kadri Haxhihamza, dhe bartësi për komunën e Sarajit Ertan Demiri. Dy kandidatët u shprehën të bindur në mbështetjen e banorëve të Komunës së Sarajit, teksa premtuan angazhim maksimal në realizimin e premtimeve.
NAIM RAMADANI
