Shabani: Ministria e Pushtetit Lokal me program katërvjeçar
Ministria e Pushtetit Lokal është duke përgatitur një rregullore për funksionimin e Pushtetit Lokal, në të cilën është i përfshirë projekti katërvjeçar.....

Për këto katër vitet e ardhshme, kjo ministri do të fokusohet në përmirësimin e disa fushave, të cilat janë problem serioz për Maqedoninë, duke përfshirë veprimtarinë komunale, gjendjen sociale, mbrojtjen e fëmijëve dhe barazinë gjinore nëpër komunat e vendit.
Një pjesë e projekteve do të realizohen edhe me mbështetjen financiare të Fondeve IPA, thotë ministri i Pushtetit Lokal, Lirim Shabani. Ai thotë se kjo ministri ka realizuar edhe projekte tejkufitare me katër shtete fqinje, duke veçuar bashkëpunimin me Kosovën.
“Tek ne në Maqedoni, që kanë shfrytëzuar këto fonde ishin komunat shqiptare, si Komuna e Gostivarit, Komuna e Çairit, Likovës me nga 250 mijë euro, projekte konkrete në fushën e arsimit, kulturës, ekologjisë, si dhe USHT-së me një projekt afërsisht me 200 euro, në bashkëpunim me Universitetin e Prishtinës. Kemi pasur edhe disa OJQ-ja. Ky është një rezultat konkret i një thirrjeje publike me Kosovën”- deklaroi ministri i Pushtetit Lokal, Lirim Shabani.
Ministri i Pushtetit Lokal, Lirim Shabani, theksoi edhe bashkëpunimin e suksesshëm me Shqipërinë në realizimin e shumë projekteve në fusha të ndryshme.
“Këtu kemi të dedikuara mjete afër 3 milion euro për pjesën e Maqedonisë, gjithashtu janë realizuar projekte nga fusha të ndryshme. Gjithsej janë shfrytëzuar mbi 20 milion euro për pjesën e Maqedonisë, projekte të cilat janë në fazën e përfundimit të tyre”- tha Shabani.
Për vitin e ardhshëm, ministri Shabani theksoi se është arritur marrëveshje për një projekt shtatëvjeçar në vlerë prej 664 milion eurosh, ku një pjesë e tyre është e dedikuar nga IPA2, për bashkëpunim ndërkufitar. (Amir Duraku, TVM2)
