Maqedoni
Gjendja epidemiologjike e qetë. Strugë, interesim i ulët për vaksinim
07.10.2021 17:28
Ndryshe nga më herët, ku në pikat e vaksinimit në qendrën Shëndetësore të Strugës priteshin radhë të gjata për vaksinim...

Ndryshe nga më herët, ku në pikat e vaksinimit në qendrën Shëndetësore të Strugës priteshin radhë të gjata për vaksinim, kohëve të fundit interesimi është zvogëluar ndjeshëm. Nga qendra shëndetësore në Strugë, për TVM2 thonë se nuk e dinë cila është arsyeja pse qytetarët kanë humbur interesimin për tu imunizuar, ata thonë se pikërisht këtë muaj, prisnin që numri i të vaksinuarve të rritet edhe më shumë.
“Në pjesën e dytë të shtatorit unë mendoja se do të kishte më shumë sepse në gusht e deri nga 15 shtator kishte turma, megjithatë më vonë ra, dhe tani tashmë interesimi është zvogëluar shumë, nuk e di pse. Shumë mirë ishte më herët por tani ndjeshëm ka rënë numri i të vaksinuarve të rinj.”,- tha drejtori i qendrës shëndetësore në Strugë, Andon Lozhanoski.
Për sa i përket gjendjes epidemiologjike, nga qendra shëndetësore thonë se është e qetë dhe ka rënë numri i kontrolleve dhe pacientëve që kërkonin të trajtoheshin në kushte shtëpiake, kjo tregohet edhe nga numrat e të infektuarve të rinj. Në qendrën shëndetësore në Strugë ka filluar edhe vaksinimi me dozën e tretë, megjithatë numri është shumë i ulët.
Ndërsa edhe në qendrën në Vevçan, ku vaksinohen banorë të disa fshatrave, është ulur shumë numri i qytetarëve të interesuar për vaksinim.
ILMIJE ZHAKU
