Maqedoni

Tragjedia e Tetovës, VMRO-DPMNE: Filipçe dhe Hasani të dorëhiqen menjëherë! Zaev: Hetuesia do të gjejë përgjegjësit

07.10.2021 17:52

VMRO-DPMNE opozitare kërkon dorëheqjen e menjëhershme të ministrit të shëndetësisë, Venko Filipçe...

VMRO-DPMNE opozitare kërkon dorëheqjen e menjëhershme të ministrit të shëndetësisë, Venko Filipçe, dhe zëvendësit të tij, Ilir Hasani. Partia e Mickovskit konsideron se katër javë nga ngjarja tragjike, edhe institucionet i kanë dalë në mbrojtjen e Filipçes duke mos e thirrur atë që të jep deklaratë në prokurorinë publike.
 
Andaj VMRO-DPMNE insiston mbledhjen e kuvendit për dorëheqjen e Filipçes dhe Hasanit. 
 
“Nëse Filipçe nuk jep dorëheqje të parevokueshme dhe të ik menjëherë, do të dëshmojë se dorëheqja deri tek Zaev ka qenë vetëm farsë. Opinioni pret katër javë të merr përgjigje, katër javë nuk kishte reagim nga institucionet. Gjithkund në botë për incidente të tilla, edhe më vogla se këto dorëheqjet jepen që ditën e parë, vetëm Venko Filipçe në vend që të ik zgjodhi të aktrojë, ndërkaq gjitha institucionet sikur mbrojtën Filipçen.”,- tha Rashella Mizrahi nga VMRO–DPMNE.
 
Kryeministri, Zoran Zaev, thotë se nuk e amniston ministrin Filipçe dhe zëvendësin Hasani nga përgjegjësia pasi që ata nuk janë shpallur fajtor. Sipas tij organet e hetuesisë do të vendosin përgjegjësit e tragjedisë.
 
“Nuk është as kryeministri, as qeveria, as parlamenti, por janë prokuroria publike dhe gjykata që vendosin se a do të ketë ndonjë përgjegjësi njerëzore, subjektive, individuale. Ishte e rëndësishme që qytetarët të dinë arsyet për shkaktimin e zjarrit dhe në formë adekuate të marrin edhe përgjigjen. Askush askënd nuk ka amnistuar. Që të amnistoni dikë, fillimisht ai duhet të jetë fajtor me procedurë penale, por bëhet fjalë për reflektim etik, moral të ministrit dhe zëvendësit të tij të cilët dhanë shumë në planin profesional veçanaraisht me menaxhimin me pandeminë dhe na nevojiten në periudhën që vijon.”,- tha kryeministri, Zoran Zaev.
 
Kreu i ekzekutivit Zaev njofton se drejtorët e ri të spitalit të Tetovës do të emërohen në nëntor pas përfundimit të zgjedhjeve lokale. Hetimi për arsyet e djegies së spitalit modular vazhdon edhe pse u tha se një qark i vazhduar elektrik ka shkaktuar shpërthimin ndërkohë sasia e madhe e oksigjenit ka ndihmuar përhapjen dhe djegien e spitalit modular.
 
MERAL ISMAILI