Maqedoni
Samiti i Bërdos; Zaev: Vazhdojmë përpjekjet, Bullgaria të tërheq veton
07.10.2021 18:04
Edhe pas epilogut të Samitit në Bërdo i cili ishte në disfavor për RMV-në, kryeministri Zaev mban shpresat gjallë...

Edhe pas epilogut të Samitit në Bërdo i cili ishte në disfavor për RMV-në, kryeministri Zaev mban shpresat gjallë për vendim pozitiv deri në fund të vitit. Kërkon nga Bullgaria të tërheqë veton ndërkohë të vazhdojnë bisedimet për çështjet e hapura. Sërish siguron se për identitetin maqedonas nuk diskutohet.
“Unë besoj se do të gjendet mënyrë për të arritur zgjidhje. Është shumë me rëndësi ta instalojmë frymën e miqësisë dhe në ndërkohë ato pikat 5+1 ku diskutohet, të jenë bashkë me vendimin pozitiv të Bullgarisë për zhbllokimin e procesit tonë në BE si dhe caktimin e konferencës së parë ndërqeveritare.”,- tha kryeministri, Zoran Zaev.
Osmani: Bllokadat nuk na zhvendosin nga rruga drejt BE-së
Bllokadat drejt aspiratave nuk duhet të na lëkundin dhe rruga duhet vazhduar tha ministri Osmani. Nuk arsyeton vendimet e paqëndrueshme të BE-së ndaj rajonit.
“Qëllimi ynë është i paalternativë se ne duhet të gjejmë zgjidhje për të tejkaluar të gjitha pengesat në rrugën tonë drejt BE-së. Nuk dua ta arsyetoj as hezitimin e BE-së ndaj Ballkanit Perëndimor i cili nuk është i pëlqyeshëm dhe i cili po rrënon kredibilitetin e BE-së ndaj Ballkanit. Mirëpo ky është një proces kompleks.”,- theksoi ministri i jashtëm, Bujar Osmani.
Përfshirja e bullgarëve në kushtetutë, Zaev: Nuk e kemi problem, por jo tani
Ndërkohë Zaev nuk kundërshton kërkesën e kryetarit Radev për përfshirjen e komunitetit bullgar në kushtetutën e vendit, por kjo sipas tij do të ndodhë kur të jetë e arsyeshme.
“Vendet nga rajoni që aderojnë se paku këto në vitet e fundit kanë praktikë të hapjes së kushtetutës para anëtarësimit të plotë në BE, ti shtojnë edhe bashkësitë tjera etnike dhe kushtetuta jonë është e struktura në atë mënyrë. Kam thënë se nuk kemi problem t’i vendojnë në kushtetutë edhe etnitë tjera, por kjo nuk do të thotë se për momentin duhet ta hapim kushtetutën.”,- theksoi kryeministri, Zoran Zaev.
Osmani: Sofja po zhvendoset nga qëndrimet e para
Ndërkohë ministri Osmani thotë se Bullgaria është zhvendosur nga pozicionet e saj, sidomos për etninë bullgare. Nga termi “popull në dy shtete” në termin “komunitet bullgar”, për të cilën kjo paraqet progres të vogël drejt zgjidhjes.
“Vlerësoj se Bullgaria po zhvendoset nga pozicioni i parë joracional “një popull në dy shtete “ në pozicionin ku thuhet “ka një bashkësi bullgare me atribute identitare kulturore të ndryshme nga ajo bashkësi shumicë.”,- theksoi ministri i jashtëm, Bujar Osmani.
Me Bullgarinë takimet do të intensifikohen pas përfundimit të cikleve zgjedhorë në të dyja vende, tha Osmani.
NERMIN MULAKI FEJZULLAHU
